Site icon PrishtinaPress

Kryeprokurori i shtetit kërkon të rishqyrtohet lënda pas aktgjykimit për rastin e dhunimit të 15-vjeçares në Pejë

Pas reagimit publik, Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë që të rishqyrtojë lëndën penale të rastit të dhunimit të 15 vjeçares në Pejë, shkruan Gazeta Insajderi.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent të rishqyrtojë lëndën penale PP. nr. 82/12, të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të marrë të gjitha veprimet e nevojshme konfrom ligjit.

Kujtojmë se Gjykata e Pejës ka dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim P.K, për dhunimin e një 15 vjeçares në vitin 2012.

Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bënë edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Aktakuza përshkruan se e mitura 15 vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P.K së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

Sipas prokurorisë pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15 vjeçaren.

E mitura kishte arritur të ikë nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P.K e kishte pranuar fajësinë.

Dënimi prej 8 muaj e 8 ditë tashmë ka marrë formën e prerë pasi Prokuroria nuk ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Exit mobile version