Site icon PrishtinaPress

Kryeministrja serbe në OKB mohon përfshirjen e shtetit të saj në sulmin e Banjskës

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin për Kosovën, Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiq akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bërnabiq, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

Sipas Bërnabiqit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.

Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike./REL

Exit mobile version