Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, i ka shkruar kryeministrit Albin Kurti për të falënderuar për urimet që ky i ka dërguar me emërimin e saj si e para e ekzekutivit, si dhe për ngushëllimet që i ka dërguar popullit britanik për vdekjen e Mbretëreshës Elizabetë.
“Faleminderit për letrën tuaj të 6 shtatorit dhe fjalët tuaja e tua të mira për emërimin tim. Do të doja t’ju falënderoja gjithashtu për ngushëllimet tuaja publike pas ndarjes nga jeta të Madhërisë së saj Mbretëresha Elizabeth II”.
Ajo tha se Mbretëresha ishte jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj detyrës dhe promovimit të marrëdhënieve globale të Mbretërisë së Bashkuar.
Po ashtu, Truss në letër ka përmendur edhe takimin që ka pasë me Kurtin derisa ishte Sekretare e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë qartazi të lidhura mirë në shumë fusha dhe ka mundësi të mëdha që të dy vendet tona të punojnë edhe më afër së bashku”, thuhet në letër.
Truss tha se vendi i saj i është mirënjohëse Kosovës për qëndrimin që po mban për çështjen e Ukrainës, derisa theksoi se është e rëndësishme që partnerët europianë të qëndrojnë të bashkuar.
Kryeministrja e re e Britanisë thotë se është krenare që vendi i saj ka ndihmuar Kosovën për t’u bërë e pavarur dhe që është vendi i parë që ka njohur zyrtarisht Kosovën në vitin 2008.
“Do të vazhdoj të ndjek Kosovën me interes të madh derisa ju vazhdoni me procesin e reformave”, përfundon ajo./Prishtinapress/