14.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Kryeministri u premton komunave përkrahej për zhvillim

Përgjatë vitit 2018 janë identifikuar dhe adresuar një seri sfidash që kanë të bëjnë me zhvillimet në komuna.

“Në fokus i kemi dhe kemi trajtuar kërkesat për zhvillimin e qyteteve tona, veçmas të kryeqytetit, siç është Ligji për Kryeqytetin, Pallatin e Rinisë, Sallën Koncertale, Unazën e Madhe të Kryeqytetit, por edhe kërkesat të tjera që kanë pasur Komunat e tjera. Po këtë fokus do ta vazhdojmë edhe në vitin që kemi hyrë dhe takimi i sotëm është i rëndësishëm për angazhimin tonë në tema të caktuara dhe rrugën që duhet ndjekur në realizimin e tyre”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin me kryetarët e Komunave në kuadër të “Forumi Konsultativ Qeveri – Komuna”.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se përgjatë vitit 2018 janë identifikuar dhe adresuar një seri sfidash që kanë të bëjnë me zhvillimet në komuna, duke u përqendruar më shumë në çështjet e legjislacionit, por edhe kërkesa të tjera, që si qëllim kanë pasur vendimet e nivelit qeverisës për të mbështetur zhvillimin në nivel komunal, transmeton prishtinapress.eu

“Aprovimi i Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale; miratimi i mbi 50 vendime që adresojnë kërkesat e komunave, miratimi i 26 kërkesave për kthim të pronës dhe dhënien në shfrytëzim në funksion të zhvillimit ekonomik lokal, janë disa nga veprimet konkrete që ne i kemi ndërmarrë gjatë vitit që po e lëmë pas”, shtoi Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se çdo kërkesë që është për interes të zhvillimit ekonomik, është adresuar me kujdes dhe po ashtu është punuar edhe në nivelin nacional, siç është rasti me Parkun Inovativ Trajnues në Prizren, Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane, si dhe Zonat tjera Ekonomike, si, Drenasi, Vushtrria dhe Malisheva.

Sipas njoftimin, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria është kujdesur me respekt për kërkesat e komunave dhe se në këtë vit duhet identifikuar punët që kanë mbetur, për të vazhduar me angazhim dhe rezultate konkrete.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se, granti prej nivelit qendror për komuna është duke u rritur në vazhdimësi, ngjashëm siç janë shtuar edhe projektet, falë donacioneve të marra.

“Shumë projekte në Komuna kanë mbetur peng në realizim, shkak i nivelit të ulët të inkasimit të të hyrave vetanake dhe këtu duhet fokusuar edhe angazhimi i nivelit lokal”, tha Ministri Hamza.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, njëherit edhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, shtoi se të gjitha rekomandimet e komunave janë inkorporuar në Projektligjin për Dhënien e Pronës Komunale në Shfrytëzim dhe Këmbim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, falë bashkëpunimit të mirë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe me Komisionin Parlamentar për Vetëqeverisje Lokale, duke shpresuar se pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, situata rreth zhvillimit ekonomik lokal, do të ndryshojë pozitivisht.

Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, tha se në këtë takim po lansohet prioriteti kryesor i vitit 2019, që është zhvillimi ekonomik lokal dhe në këtë frymë, Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2019-2023 dhe tani është koha që gjithë atë që e kanë në Strategji, ta kthejnë në praktikë.

Kryetarët e Komunave, në fjalën para kryeministrit i kanë paraqitur çështjet e tyre që lidhen me temën “Zhvillimi ekonomik lokal” prioritetet në vitin 2019, me theks të veçantë sfidat që përballet secila komunë në fusha të ndryshme, e të cilat kërkojnë edhe mbështetjen e Qeverisë.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të bëhet një listë e punëve që duhet të kryhen dhe t’i adresojnë shqetësimet e tyre tek ministritë ku kërkohet përkrahja dhe të raportohet nëse ato ministri nuk i përfillin kërkesat.

Kryeministri Haradinaj në përfundim të këtij takimi tha se do të ishte mirë që një takim i tillë të mbahet një herë në dy tre muaj dhe ka  propozuar që në takimin e radhës të aprovojnë listën e temave që i kanë detyra për këtë vit, pra ato që u përmenden sot, të nxirren në një listë të veprimeve dhe t’i konfirmojnë bashkë që pastaj të ndodh implementimi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img