Ministri i Brendshëm polak dje ka akuzuar opozitën se po tentojnë të organizojnë një puç derisa deputetët kishin okupuar sallën e kuvendit për të dytën ditë me radhë në bllokadën më të madh politike në vend për shumë vite.
Kryeministri Beata Szydlo dhe shefi i partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS), Jaroslaw Kaczynski, është dashur të evakuohen nga ndërtesa në orët e hershme të ditës së djeshme pasi policia përdori forcën për të shpërndarë një protestë të mëhershme.
Protesta të reja kanë nisur të shtunën në Varshavë, me disa mijëra demonstrues që po valojnë flamujt polakë, po përdorin boria dhe po thërrasin “Stop shkatërrimit të Polonisë”, raporton “The Telegraph”.
Të premten, deputetë opozitarë kishin bllokuar qasjen në podium duke protestuar për planet qeveritare për të limituar qasjen e mediave në ndërtesën e parlamentit e përshkruar si një sulm në lirin e mediave në Poloni.
Ndërkaq, kreu i kuvendit rimblodhi parlamentin në një sallë tjetër, ku deputetët e PiS votuan buxhetin shtetëror 2017 me ngritje duarsh, transmeton Koha.net.
Ishte kjo hera e parë që kur Polonia u nda nga komunizmi më 1989 që deputetët u desh të votonin buxhetin jashtë sallë kryesore.
“Sipas mendimit tim, ngjarjet e djeshme ishin një përpjekje ilegale për të marrë pushtetin”, ka thënë Mariusz Blaszczak, ministri i Brendshëm polak, duke iu referuar deputetëve opozitarë.
Liderët opozitarë thanë se votimi parlamentar jashtë sallës kryesore ishte si ilegal ashtu edhe shkelje e kushtetutës së Polonisë. Policia polake konfirmoi se është përdorur forca fizike për të larguar protestuesit.
Në qendër të debatit ishte qasja e lirë në informacion.
Gazetarët kanë pasur gjithmonë qasje në sallat e parlamentit, por tani që atyre u është ndaluar hyrja në to, intervistat me politikanë mund t’i marrin në holle të ndërtesës së parlamentit.
Partia qeverisëse, e cila është edhe nën akuza nga BE-ja për politika të cilësuara si antidemokratike, planifikon futjen në zbatim të rregullave të reja nga 1 janari gjë e cila do të limitonte drastikisht qasjen e reporterëve në parlament.
Gazetari i respektuar, Seweryn Blumsztajn, disident gjatë periudhës së komunizmit, planin e Qeverisë e quajti “kthim në praktikat e epokës komuniste”.