Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve.
“Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është. Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri. Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!”
“Kosova thellësisht mbështet bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, heqjen e të gjitha barrierave të të bërit biznes dhe tregti me vendet e Ballkanit Perëndimor; punën e përbashkët në tërheqjen e investimeve të huaja, bashkëpunimin ndërmjet NVM-ve, njohjen dhe respektimin e diplomave, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.Kosova vendin e vet e sheh në tregun unik Evropian, mbi bazën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, ka shkruar ai, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook.
Propozimin për një treg të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor e bëri një ditë më parë Komisioneri evropian për Zgjerim, Johanes Hahn gjatë samitit të Kryeministrave që u mbajt në Sarajevë.