Site icon PrishtinaPress

Kryeministri Mustafa dhe Ministri Stavileci sot në interpelancë

Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancën e radhës në të cilën do të paraqiten në interpelancë kryeministri Isa Mustafa dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të paraqitet në interpelancë kryeministri Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, për çështjen e shfrytëzimit e thëngjillit dhe minierën e Sibovcit.

Më pas, para deputetëve, në një interpelancë tjetër lidhje me Kontratën e privatizimit të Kompanisë së Distribuimit të Energjisë Elektrike, do të jetë ministri Blerand Stavileci, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues.

Në këtë seancë, pritet të mbahen edhe dy debate parlamentare: njëri, sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetëve Bekim Haxhiu dhe Xhevahire Izmaku, të mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nënshkrues, në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Exit mobile version