Qeveria e Kosovës, e ka shumë të qartë, se sporti është një e mirë publike që forcon edhe komunitetin edhe shtetin. Po ashtu, e dimë se jemi në momente vendimtare me mundësinë për të dizajnuar sistemin e ardhshëm të sportit, ashtu siç duam, dhe mbi të gjitha ashtu siç e meritojnë të rinjtë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmjen gala të organizuar me sportistët fitues, veteranët e sportit dhe sportistët.
Këtë vit i kemi ndarë mbi 7 milionë euro përmes skemave të mbështetjes direkte për afër 300 përfitues, organizata sportive e profesionistë të sportit. Kjo reflekton rritje prej 15%, krahasuar me vitin 2021, ndërsa në krahasim me vitin 2020 rritje për 45%. Ndërkaq, buxheti tashmë i miratuar për vitin 2023, do të jetë më i larti ndonjëherë me mbi 3.2 miliardë euro, e në të cilin është reflektuar edhe rritja e buxhetit për sportin, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se sportistët dhe sportistet tona, janë model për të rejat e të rinjtë, e frymëzim për të gjithë. Ju jeni ata që na kujtoni se si: maturia, qëndresa dhe besimi, mbeten instrumentet më të mira për të shkëlqyer – jo vetëm në sport, por në secilën përpjekje, tha ai.
Le ta bëjmë sportin pasqyrë në të cilën e shohim shoqërinë tonë si tërësi, dhe le ta përdorim atë për të ndërtuar botën që duam dhe shtetin që e meritojmë, tha kryeministri, në përmbyllje të fjalës së tij.