Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka nisur raportimin në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti tha se draft statuti që e pranoi, e për të cilin tha se ishte i gatshëm ta nënshkruajë, “qartazi nuk është Zajednicë”, siç e quante Vetëvendosje dikur në opozitë.
“Emisarët e ofruan një draft statut për të zbatuar nenin 7 të ndërlidhur me nenin 10. Karakteri i dokumentit më dha përshtypjen e një iniciativë serioze, me intensitet kaq të lartë. Ata më thanë që është në përputhje me ligjet e Kosovës.
Nuk dua të jap një qëndrim për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën, që do ta jap Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, durim.. Si udhëheqës i qeverisë duhet ta them një këndvështrim për draftin.
E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës, që ishte çimentuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo qartazi nuk është Zajdnicë, siç e parashihnin këto marrëveshje.” tha Kurti.
Kryeministri Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten e javës së kaluar, kanë mbajtur takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Pas takimit Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur gatishmëri për pajtim në Bruksel rreth propozimit të ri evropiano-amerikan lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u është prezantuar palëve më 21 tetor.
Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, duke e përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar më herër nga diplomatët euroatlantikë.