Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën “Politikat publike në Francë”, organizuar nga Ambasada e Francës në Kosovë:
I nderuar ambasador i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot,
E nderuar Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherit zëvendëskryeministre, znj. Donika Gërvalla Schwarz,
Të nderuar kryetar të komunave të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore franceze,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
Politikave që cilësohen publike sot u vjen radha të jenë të parat. Mjafton të shohim peizazhin botëror. Kriza energjetike dhe e çmimeve do të cenojë shumë fusha. Andaj angazhimi ynë është i vazhdueshëm dhe në mbrojtje të qytetarëve, e veçanërisht atyre që kanë më së shumti nevojë. Jemi të ndërgjegjshëm se duhet të angazhohen të gjitha linjat e politikave publike, jo vetëm në kuptimin e modernizimit teknologjik, por edhe sipas vetëdijes retrospektive të formimit dhe zhvillimit të tyre.
Si Kryeministër dhe si socialdemokrat besoj shumë se organizimi i politikave publike ka dy prurje të mëdha: e mban të vlefshëm maksimumin e numrit të njerëzve në shoqëri, por edhe shtrin të njëjtën simpati për demokracinë në vende të përmasave dhe historive të ndryshme.
Demokracia dhe publikja shkojnë bashkë.
Ne jemi të vetëdijshëm se politikat publike nuk janë themeluar në një ditë. Por edhe se burimet e tyre gjenden në të gjitha fushat, sidomos në fushën e krijimtarisë, duke qenë se krijimtaria e ka shprehur përkatësinë publike të produkteve të saj si asgjë tjetër.
Jemi po ashtu të vetëdijshëm për rëndësinë historike të qytetit. Jetojmë në kohërat kur shtetet po zbrazen e qytetet po ngjeshën. Ndërkohë që qyteti duhet ta ruajë rolin e ekspozimit më të lartë të publicitetit. E pikërisht qytetari duhet të jetë bartës i publikes dhe i politikës. Ne jemi sot në Prishtinë, në qytetin ku organizohet Manifesta 14. Megjithëse në kushtet e buxheteve tona pakshifrorë përballë shteteve të mëdhenj të Perëndimit, e kemi gjithnjë parasysh se artet dhe arsimi janë ilustrimi më i drejtpërdrejtë i politikave publike.
Dhe kjo është në historinë e vetë njerëzimit. Nga grekët antikë ku zë fill krijimi i arteve liberale dhe direktiva e përbashkimit të lirisë dhe publikes, e deri tek artistët, si Marcel Duchamp, me kritikën e vendeve të ekspozimit dhe projektimin e artistikes në çdo produkt të mendjes dhe dorës së njeriut deri te ready-made.
Ne jemi të vetëdijshëm se nuk duhet të shmanget nga vëmendja jonë edhe historia e ndërhyrjes së artit dhe kulturës në qytet dhe në publicitet. Provokimet dhe kritikat që i vijnë gjendjes shoqërore nga artisti dhe filozofi, benjamin apo surrealist qoftë ai, duhet ta zgjojnë imagjinatën e politikave publike. Ngaqë, kur bie arti, arsimi mbetet i vetëm për të përmbushur të gjitha nevojat e talenteve të njeriut. E të mbetesh i vetëm, do të thotë të ngelesh i pjesshëm.
Ja një pikë ku duhet të shtojmë sipërmarrjet e politikave publike: arsim dhe art. Pra shtimi i vendeve të punës, shtimi i vendeve të punësimit po edhe shtimi i vendeve të artit edhe pse në kohë krize. Qeveria ka nisur programin e bursave për ngritje të kapaciteteve profesionale në fushat e artit, trashëgimisë kulturore dhe sportit. Gjithsej 30 profile deficitare të këtyre fushave do të mbështeten me rreth 300.000 euro çdo vit, që të plotësojmë zbrazëtirat në një të ardhme të afërt dhe të ngrisim institucionet në nivele edhe më të larta.
Skena e pavarur artistike në Kosovë është shumë e fuqishme, për këtë arsye edhe mbështetja shtetërore për këtë skenë duhet të jetë më e madhe. Fundja, ajo që rritet, e rritë edhe mundësinë për t’u rritur. Këtë vit, vetëm me thirrjen e parë publike të mbështetjes financiare, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 1,75 milion euro për OJQ-të e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Me thirrjen e dytë, janë shpërndarë edhe 442 mijë euro po për këtë skenë të pavarur.
Ndërsa kemi rritur buxhetin për arsim me mbi 12%, arsimin publik e kemi bërë falas për të gjitha nivelet, përfshirë studimet bachelor dhe master. Nëpërmjet bursave e shtesave i kemi mbështetur studentët, e veçanërisht vajzat. Për mundësi të barabartë në edukim kemi shtuar 100 asistentë më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuara, numër ky që do ta rrisim për çdo vit.
Me masa si këto po i mbështesim qytetarët e Republikës, me dy Pako, atë të Ringjalljes Ekonomike dhe me atë për Përballje me Inflacion, në vlerë prej 750 milionë euro, në një vit e gjysmë qeverisje.
Të nderuar të pranishëm,
shkëlqesia juaj Ambasadori Guerot,
Na nevojitet peizazhi i pasur francez. Kultura franceze ka ç’na ofron gjithmonë, edhe për formimin tim këtu kam në mendje sidomos ekzistencën e njëkohshme të Raymond Aronit dhe Jean-Paul Sartre. Duhet t’i kthehemi këtyre dysheve që na ofron mendimi publik francez. Na duhet investimi francez, teknologjia e lartë franceze, por edhe përvoja intelektuale e universitare franceze. Vetëm kështu, ne mund të përfitojmë nga shoqëria franceze, nga politikat publike të saj, nga thellësia e historisë së saj.
Ju falënderoj dhe ju uroj punë të mbarë dhe bisedë të frytshme.