Site icon PrishtinaPress

Kryeministri Kurti: Bllokimi i hapjes së negociatave për liberalizim të vizave, i padrejtë dhe dritëshkurtër

“Bllokimi i vendimit për hapjen e negociatave ndërinstitucionale për arritjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Këshilli, është veprim i padrejtë dhe dritëshkurtër”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të intensifikuar zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve për integrim. Po ashtu, tha se Qeveria ka filluar reforma rrënjësore që do të forcojnë shtetin e së drejtës, do ta rrisin barazinë dhe do të ngrisin mirëqenien sociale.

Është e rëndësishme që kriteret për progres dhe avancim të Kosovës në procesin e integrimit duhet të jenë të drejta dhe të bazuara në merita, e aty ku ka kushte ndërshtetërore të jenë kushte të barabarta për të gjitha palët, pa e diskriminuar e mbikushtëzuar Kosovën, tha kryeministri Kurti.

Para eurodeputetëve, kryeministri tha që përmbushja e reformave nga Kosova duhet të rezultojë me përmbushje të obligimeve nga Bashkimi Evropian.

Fjala e Kryeministrit Kurti në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

I nderuar Ambasador, z. Tomas Szunyog,

Të nderuar bashkë-kryesues të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, z. Romeo Franz dhe znj. Mimoza Kusari Lila,

Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës,

I nderuar Zëvendëskryeministër Bislimi,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar Eurodeputetë,

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju dëshiroj mirëseardhje dhe të ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për vendin dhe rrugën tonë evropiane.

Shpesh them se Bashkimi Evropian fillon në shtëpi dhe se ai duhet të rritet këtu nga brenda, por na duhet ndihma nga jashtë, pra ndihma e Bashkimit Evropian si klubi më i pasur socio-ekonomik në botë.

Ne jemi të përkushtuar për të intensifikuar zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve për integrim dhe tashmë jemi në rrugë të mbarë. Ndryshimet demokratike në vendin tonë kanë sjellë stabilitet institucional dhe zhvillim ekonomik. Deri në fund të këtij viti pritet të kemi rritje dyshifrore në përqindje të Bruto Produktit Vendor. Të hyrat buxhetore janë rritur për 33,5%, eksportet janë rritur për 68%, dhe në muajt e parë të qeverisjes janë shtuar 9.351 punëtorë.

Kemi menaxhuar me sukses pandeminë dhe falë masave të qeverisë dhe bashkëpunimit të qytetarëve, sot jemi vendi i parë në rajon me mesataren më të lartë të numrit të të vaksinuarve. Në kohën kur rajoni po kalon një valë të re të rritjes së infektimeve, ne kemi numrin më të ulët. Ne jemi falënderues për ndihmën e vazhdueshme që Bashkimi Evropian ka ofruar me vaksina përmes programit e mekanizmit COVAX.

Kemi filluar reformat rrënjësore në drejtësi përmes miratimit të Koncept-dokumentit për Veting në sistemin e drejtësisë dhe Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Po ashtu kemi intensifikuar luftën kundër korrupsionit, krimit dhe kontrabandës.

Këto reforma do të forcojnë shtetin e së drejtës, do ta rrisin barazinë dhe do të ngrisin mirëqenien sociale.

Gjithashtu kemi themeluar Strukturat Koordinuese Ndërinstitucionale për Procesin e Integrimit Evropian; kemi rishikuar dhe miratuar Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2021- 2025; kemi rishikuar dhe miratuar Planin e Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane ERA II dhe një sërë reformash që ishin pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Evropian për shumë vite por që nuk ishin zbatuar, sikurse heqja e homologimit për vetura që ishte në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, demonopolizimi i terminaleve doganore që tashmë vetëm sa kemi filluar me hapjen apo rikthimin e terminalit në Trepçë dhe deri nga mesi i vitit të ardhshëm do të shtrihen në gjithë territorin e vendit.

Këto dhe tema tjera do të diskutohen më hollësisht në punën e këtij Komisioni të përbashkët sot dhe nesër, e po kështu edhe energjia, tranzicioni i gjelbër, të drejtat themelore dhe bashkëpunimi rajonal. Të gjitha këto janë prioritete edhe në Agjendën për Reforma Evropiane.

Është e rëndësishme që kriteret për progres dhe avancim të Kosovës në procesin e integrimit duhet të jenë të drejta dhe të bazuara në merita, e aty ku ka kushte ndërshtetërore të jenë kushte të barabarta për të gjitha palët, pa e diskriminuar e mbikushtëzuar Kosovën.

Përmbushja e reformave nga Kosova duhet të rezultojë me përmbushje të obligimeve nga Bashkimi Evropian. Andaj, të nderuar eurodeputetë, është tejet e rëndësishme që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet përmes jush në Parlamentin Evropian, por edhe në Këshillin e Bashkimit Evropian, aty ku janë përfaqësues qeveritë tuaja.

Bllokimi i vendimit për hapjen e negociatave ndërinstitucionale për arritjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga Këshilli është veprim i padrejtë dhe dritëshkurtër.

Parlamenti është vendi ku kjo çështje duhet të ngritët në çdo mbledhje deri në marrjen e vendimit sepse aty është vendi ku mbrohet edhe Evropa si kontinent e jo vetëm interesat e ngushta të shteteve anëtare.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj punë të mbarë.

Exit mobile version