Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar sot një letër nga kryeministri i ri i Izraelit, Naftali Bennett, si përgjigje për letrën që Kurti ia kishte dërguar atij para disa javësh.
Në këtë letër, Bennett e falenderon Kurtin në emër të Qeverisë së tij për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Në emër të Qeverisë së Izraelit, ju falenderoj juve sërish për hapjen e ambasadës këtu në Jerusalem, kryeqytetin e Shtetit të Izraelit”, ka shkruar kryeministri izraelit.
Duke e falënderuar për letrën, Bennett u shpreh mirënjohës që Kurti ndau pikëpamjet e tij lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Izraeli me kënaqësi do t’ju ndihmojë në ruajtjen e monumenteve me vlerë universale kulturore, si dhe do t’ju ndihmojë në përkushtimin e vëmendjes për to, si dhe për shndërrimin e tyre në një destinacion turistik. Ne kemi një përvojë të madhe me objektet tona kulturore në Izrael, e sidomos në Jerusalem, dhe atë që ne e dimë në këtë aspekt, me kënaqësi do ta ndajmë me ju”, thuhet ndër tjerash në letër.
Kurti u kishte dërguar letët kryeministrit izraelit dhe kryeministrave e presidentëve të 56 vendeve të botës, ku shprehte pikëpamjet e tij mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj.
Të mërkurën, Bashkimi Evropian ka caktuar raundin e radhës të dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim do të marrin pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.