0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Kryeministri britanik i shqetësuar për situatën në Kosovë: Kurti dhe Vuçiq kanë përgjegjësi për parandalimin e dhunës

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak është shprehur “veçanërisht i shqetësuar për situatën në Kosovë”, kur u pyet nga deputetja Alicia Kearns për “dështimin ndërkombëtar” në Ballkanin Perëndimor, raporton Gazeta Express.

Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik e ka pyetur kryeministrin e vendit se a do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që misioni paqeruajtës i NATO-s të merret edhe me armët ilegale që tha se po futen nga Serbia në Kosovë.

Duke folur për një “dështim ndërkombëtar” në parandalimin e situatës në Kosovë, Kearns tha se “kjo reflektohet më së miri nga reagimi i BE-së dhe SHBA-së dhe ndëshkimet e fundit të Kosovës përballë antagonizmit serb dhe retorikës secesioniste të Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Si kryeministër, a do të dini të angazhoheni që ne t’i bashkohemi EUFOR-it, ku unë do të shtoja se si Turqia dhe Kili janë anëtarë, dhe a do ta konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që po dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicitë në Kosovë?”, pyeti ajo.

Në përgjigje, kryeministri britanik tha se i dënon sulmet e paprovokuara ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, ndërsa tregoi se u kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që t’i ulin tensionet dhe ta parandalojnë dhunën.

“Gjëja e parë për të thënë është se ne dhe Qeveria mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojmë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, tha Rishi Sunak.

Pyetjes për t’iu bashkuar EUFOR-it, që është misioni ndërkombëtar përgjegjës për zbatimin e pjesës ushtarake të Marrëveshjes së Dejtonit, Sunak tha se mospjesmarrja e Mbretërisë së Bashkuar në të “nuk pasqyron rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit”.

“Pikëpamja jonë është se duhet të gjejmë një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE. Në lidhje me EUFOR-in, ne e shohim EUFOR-in si jetik për paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Mospjesëmarrja jonë në të nuk pasqyron rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe ne po përpiqemi të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin me misionin”, tha Sunak.

Deputetja Kearns në fund i bëri thirrje qeverisë britanike që ta ndjekë nga afër këtë situatë. Ajo mendon se Mbretëria e Bashkuar duhet t’i bashkohet BE-së dhe ta zgjasë mandatin e KFOR-it në Kosovë, duke thënë se “jemi në epokën e Diplomacisë Parandaluese”. Ajo thotë se “koha për ta mbrojtur stabilitetin është tani” dhe se “mbrojtja nuk është përshkallëzim”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img