1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Kryediplomati shqiptar: Autorët e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë, e domosdoshme për parandalimin e përshkallëzimit

Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, sot në një konferencë të përbashkët për media me kryediplomaten Donika Gërvalla, tha se siguria dhe stabiliteti i rajonit është më i kërcënuar se kurrë më parë.

Ai tha se autorët, organizatorët dhe nxitësit e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë, duke shtuar se kjo është domosdoshmëri për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejmë.

“Rajoni është duke kaluar një moment delikat, që pavarësisht progresit, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Ne kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm, të orkestruar dhe të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e të gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Europën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme. Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende, ato forca që besojnë te pasja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik të punojnë se bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tonë”.

Ministri Hasani tha se shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen e përbashkët dhe shtoi se “padyshim Kosova e Serbia duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekjes – dy vende e një popull që më shumë se kushdo tjetër e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.

Pas Kosovës, Hasani tha se do të shkojë në vizita zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më pas Malin e Zi.

“Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve dhe mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë së bashku për të mirën e rajonit dhe qytetarëve tonë”.

Ai tha se është kënaqësi për të që ndodhen në Prishtinë në vizitën e tij të parë në Kosovë.

“E falënderoj kolegen, motrën time, Donika Gërvallën, për mikpritjen, por edhe diskutimet e hapura”.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img