Site icon PrishtinaPress

Kryediplomati malazez pas takimit me Pacollin: Serbia ta njoh Kosovën

Ministri i Jashtëm Behgjet Paolli, priti në takim homologun e tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanoviq.

Dyshja realizuan takimin në njëvjetorin e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin, çështje për të cilën të dyja palët thanë se është e mbyllur.

“Problemi është i zgjidhur. Nuk e shohim si çështje të hapur mes dy vendeve. Nuk ka pika kontestuese” deklaroi Darmanoviq.

Ai gjithashtu komentoi edhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën.

“Ne e përkrahim dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës. Nga ish-Jugosllavia kanë ngelur tre probleme. Çështja e emrit të Maqedonisë e cila është zgjidhur, e dyta marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe problemi i tretë që është funksionaliteti i Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Sa i përket çështjes së dytë ne ju dëshirojmë të gjitha të mirat Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhin këtë çështje në mënyrën më të mirë dhe në fund të rrugëtimit të ketë njohje reciproke”, njofton Klan Kosova.

“Ne nuk përzihemi në çështje të brendshme. Në qofte se mund t’ju ndihmojmë diçka – këtu jemi. Kemi disa brenga për idenë e korrigjimit të kufirit. Nuk është ideja më e mirë, mirëpo nëse është ideja më e mirë për fqinjët tanë nuk e kemi problem”.

Kryediplomati kosovar vlerësoi marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi të shkëlqyera dhe tha se do të angazhohen për marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Kemi zhvilluar një takim të frytshëm. Gjendjen aktuale të marrëdhënieve tona e kemi vlerësuar të shkëlqyer si dhe kemi shqyrtuar mundësinë që t’i avancojmë raportet tutje. Nuk kemi çështje të hapura por sot i kemi dhënë vetes detyra të reja që do t’i implementojmë”.

Pacolli gjithashtu tha se Kosova do të jetë sërish pjese e agjendës së Interpolit, me ç’rast kërkoi mbështetjen e Malit të Zi.

Ministri i Jashtëm i Malit te Zi, Srdjan Darmanoviq, pritet të takohet edhe me Kryeministrin Ramush Haradinaj

Exit mobile version