Site icon PrishtinaPress

Kryediplomati çek para ardhjes në Prishtinë: Kosovës i duhet liberalizimi i vizave

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, pritet të vizitojë Kosovën këtë javë, por nuk dihet dita e saktë.

Ai, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Çeke, ka deklaruar se Kosova është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, i cili ka nevojë për liberalizim të vizave.

“Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për të shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, tha Lipavsky, shkruan Euroactiv.

Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të diskutohet këtë vjeshtë sapo Komisioni Evropian të finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës.

Për të miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare, që përfaqësojnë 65 për qind të qytetarëve të BE-së.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh./Prishtinapress/

Exit mobile version