Site icon PrishtinaPress

Kronologjia e një tragjedie sportive, 15 minutat që vendosën fatin e Duamenës, çfarë ndodhi në ambulancën ku ndërroi jetë lojtari

Egnatia-Partizani, 11 nëntor 2023, ora 13:54! Pritej të ishte një ditë feste në Rrogozhinë, por u kthye në tragjedi pas një sulmi në zemër që pësoi kapiteni i Egnatias, Rafael Duamena, i cili humbi jetën në moshën 28-vjeçare duke shkuar në spital.

Një tragjedi e tmerrshme, me skena që askush nuk do të donte t’i shikonte, qoftë ata 1500 tifozë që i përjetuan nga shkallët e stadiumit të Egnatias, por edhe mijëra të tjerë që po e ndiqnin takimin direkt përmes televizorit. Duamena nuk jeton më dhe kjo është gati e pabesueshme për të gjithë.

Kapiteni, sulmuesi dhe bomberi që bëri për vete jo vetëm tifozët e Egnatias, por të gjithë në elitën e futbollit shqiptar, u rrëzua në fushë pa ndjenja kur kronometri i ndeshjes shënonte 23 minuta e 54 sekonda.

Një moment paniku, ku të gjithë protagonistët e fushës vrapuan drejt tij, me Paulauskas dhe Fernandon që ishin të parët që reaguan, e më pas Bytyçi, Preka dhe Hoxha të Partizanit, në një moment kur loja kishte ndalur dhe pritej rivënia e topit nga portieri i kuq.

Mjekët e Egnatias dhe Partizanin vrapuan për të dhënë ndihmën e parë në kohë rekord, ndërsa ambulanca menjëherë u fut në fushë. Gjendja e sulmuesit ganez ishte e rëndë, pasi kishte pësuar kolaps dhe në momentin e ndërhyrjes nga mjekët, i kishte ikur gjuha.

“Panorama Sport” mëson se mjekët, pasi vepruan menjëherë, konstatuan që Duamena kishte puls, duke dhënë shenja jete. Në këtë gjendje është futur në ambulancë, ndërsa pas pak çastesh, ka mbyllur sytë duke pësuar një gjendje të fikëti. Mjekët konfirmuan se përtej kolapsit, Rafaeli kishte ende parametra jetësore.

Në ambulancë ka pasur të gjitha pajisjet dhe medikamentet e nevojshme, teksa gjatë rrugës për në spital, Duamenës i është injektuar adrenalinë dhe proceduar me defribilatorin me goditje elektrike.

Teksa ambulanca po shkonte në kohë rekord drejt spitalit të Kavajës, zemra e ganezit pushoi së rrahuri. Mësohet se rreth orës 14:01, lojtari kishte pësuar një tjetër goditje në zemër dhe në atë moment ka ndërruar jetë. Duamena ka mbërritur në orën 14:10 në spitalin e Kavajës, por pa shenja jeta, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve.

 

Exit mobile version