Mediat serbe sot kanë shkruar rreth një kërkese të përbashkët të bërë nga ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kroacisë, me anë të së cilës kanë kërkuar mbështetjen e NATO-s për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Dhe këtë, përcjell Telegrafi, mediat serbe e kanë vlerësuar si “bashkim të shqiptarëve dhe kroatëve, kundër serbëve”.
Lidhur me këtë ato shtojnë se ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, dhe homologu i saj kroat Damir Krstičević, i kanë shkruar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg mbi zhvillimet e fundit në Kosovë.
Po sipas medieve serbe, sipas tyre, deklaratat e zyrtarëve serbë dëmtojnë sovranitetin e Kosovës dhe për këtë arsye i kanë bërë thirrje NATO-s për të mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Në një letër drejtuar ministrave kroatë dhe shqiptarë ‘dënohet retorika nacionaliste e zyrtarëve serbë’, e cila ka për qëllim ‘minimin e sovranitetit të Kosovës dhe të destabilizojë gjendjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor’. Kodheli dhe Krstičević i kanë bërë thirrje Stoltenbergut për të shqyrtuar planin operacional për misionin paqeruajtës në Kosovë dhe për të mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës”, përfundohet në shkrimin e medieve serbe./PrishtinaPress.eu