Ushtria e Kroacisë ka nisur gjatë ditës së sotme kontingjentin e 40-të në KFOR, të përbërë nga 150 pjesëtarë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq mori pjesë të martën në kazermën e Brigadës së III Gardiste “Kune” në Gjakovë, Kroaci, në dërgimin ceremonial të kontingjentit të 40-të kroat (HRVCON) në operacionin e KFOR-it për mbështetje të paqes në Kosovë.
Pjesa më e madhe e këtij kontingjenti përbëhet nga anëtarë të Kompanisë së Motorizuar të Brigadës së Mekanizuar-Blinduar të Gardës të Ushtrisë Tokësore Kroate.
Ministri Anushiq tha se kjo ceremoni i zgjon kujtimet e ditëve të kaluara në ushtrinë kroate. “Jam krenar për atë periudhë, ashtu siç jam krenar që jam sot para jush si zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes”, tha ai.
Anushiq iu referua pjesëmarrjes së kaluar të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë në operacionin e KFOR-it, duke theksuar se secili prej tyre investoi njohuritë dhe përvojën e tyre në këtë detyrë, duke ndërtuar një imazh pozitiv për vendin dhe ushtrinë.
“Besoj se secili nga 150 pjesëtarët e kontingjentit të 40-të kroat do të vazhdojë atë seri, duke e ditur që në Kosovë nuk përfaqëson veten e tij, por flamurin më të dashur kroat”, deklaroi ministri kroat i Mbrojtjes. /Klankosova.tv