Site icon PrishtinaPress

Kriza në Francë erdhi nga ‘kumari i rrezikshëm’ i Macronit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka refuzuar dorëheqjen e kryeministrit të tij, duke i kërkuar të hënën që të mbetet përkohësisht shef i qeverisë pas rezultateve të zgjedhjeve kaotike që e lanë qeverinë buzë humnerës, shkruan agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Votuesit e kanë ndarë legjislaturën në të majtë, qendër dhe të djathtë ekstreme, duke mos lënë grupim të afërt me shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

Rezultatet e së shtunës kanë ngritur rrezikun e paralizimit të ekonomisë së dytë më të madhe të Bashkimit Evropian.

Macroni luajti kumar se vendimi i tij për të thirrur zgjedhje të hershme do t’i ofronte Francës mundësi për qartësi, por rezultati ka treguar të kundërtën, kur kanë mbetur më pak se tri javë para fillimit të Lojërave Olimpike, të cilat do ta kenë në vëmendje Francën.

Bursa franceze ra para se të hapej por u këndell shpejtë, ndoshta nga mundësia se tregjet frikësoheshin për një fitore të thellë të së djathtës ekstreme ose të koalicionit të majtë.

Kryeministri Gabriel Attal ka deklaruar se do të mbetet në zyrë nëse është e nevojshme, por ofroi dorëheqjen të hënën në mëngjes.

Macroni, i cili e emëroi atë para shtatë muajsh, menjëherë i ka kërkuar të qëndrojë me qëllim që të ketë stabilitet të shtetit. Aleatët kryesorë të Macronit kanë qenë në takim me Attalin në pallatin presidencial. Takimi ka zgjatur 90 minuta.

Exit mobile version