Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar tragjedinë që ndodhi 22 vjet më parë në Mitrovicë, ku forcat serbe kishin ekzekutuar mbi 30 shqiptarë.
Ai ka thënë se drejtësia duhet të vihet në vend dhe kriminelet të marrin dënimin e duhur, njofton Klan Kosova.
”Kujtojmë me dhembje tragjedinë që ndodhi në Mitrovicë, njëzetedy vite më parë. Kujtojmë martirizimin e motrave e vëllezërve tonë, që jetën ia falën Atdheut, të cilit çdo ditë e më shumë i afrohej liria. Është obligim i yni që të këmbëngulim për drejtësi. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
”Bota demokratike duhet të bashkohet në kërkesat tona për ndriçimin e të gjitha masakrave dhe për kthimin e të pagjeturve. Bashkëndjejmë me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ishim me ta, jemi sot e përgjithmonë”, shtoi tutje ai.
Kujtojmë se pas masakrës në tregun e Mitrovicës në mars 1999, me 14 prill ndodhi tragjedia e radhës ne lagjen e Kovaçëve dhe Qendër, ku mbi 30 qytetarë u ekzekutuan mizorisht.