Site icon PrishtinaPress

Krimi në Lipjan ku babai vrau djalin dhe gruan e me pas veten, Prokuroria: Kemi lëshuar autorizime, jemi në pritje

Një skenë e tmerrshme krimi brenda familjes ndodhi me 28 korrik në Rufc të Lipjanit. Kryefamiljari dyshohet se privoi nga jeta gruan dhe djalin, e më pas edhe veten. Prokuroria ka konfirmuar se vrasja e dyfishtë dhe vetëvrasja u krye me armë zjarri, e cila më pas u sekuestrua.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se për këtë rast prokurori i rastit ka lëshuar disa autorizime dhe është në pritje të tyre, përderisa shton se po ndërmerren hetime për zbardhjen e rastit.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të kësaj çështjeje. Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime, për çka është në pritje të tyre, ndërkaq arma e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast është sekuestruar me urdhër të njëjtit”, tha Ulaj në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.

Policia kishte deklaruar se në vendngjarje u gjetën tre trupa të pajetë, pasditën e 28 korrikut.

Motivi mbetet akoma i panjohur.

Trupat e pajetë të viktimave, me urdhër të prokurorit ishin dërguar në IML për obduksion.

Për tragjedinë në Rufc të Lipjanit ishte deklaruar edhe kryeministri Kurti.

Ai shprehej i trishtuar nga një ngjarje e tillë tragjike.

“I trishtuar pamasë nga lajmi i kobshëm për vdekjen tragjike të tre anëtarëve të familjes Bekteshi nga fshati Rufc i Vjetër i Komunës së Lipjanit. Përtej rrethanave që do të sqarohen nga autoritetet, tronditje të tilla lënë boshllëk në zemrat e secilit prej nesh. Sot, jemi pranë familjarëve e miqve të viktimave. Familjes Bekteshi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e madhe, sikurse edhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Lipjanit.”

Ndërsa, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, teksa i kishte shprehur ngushëllime familjes, kishte deklaruar:

“Lajm i kobshëm për humbjen e jetës së tre qytetarëve tanë ka tronditur thellë qytetarët dhe opinionin e gjerë.”

Exit mobile version