0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Krimi dhe dënimi: Faktografia e luftës së Kosovës

Kush përjeton një luftë, atij i ndryshon përgjithmonë jeta. Më shumë se 21 vjet kanë kaluar nga lufta e Kosovës, por pasojat ende janë prezente. Në jetët e njerëzve, dhimbjen që la ajo për familjarët, por edhe shkatërrimin  e kudogjendur. Ende ka shumë pyetje të hapura për kohën e luftës në Kosovë. 

Një serial i Deutsche Welle-s i kushtohet pikërisht këtyre pyetjeve të hapura për të gjetur një përgjigje nga ekspertët e studimet mbi krimet e luftës, dënimet e deritanishme, dhunimet seksuale, varrezat masive e shkatërrimin e pronës.

Vrasjet gjatë luftës

Rreth 13.500 njerëz u vranë gjatë luftës së fundit në Kosovë (1999). Këto të dhëna jepen nga institucione të ndryshme në Kosovë, por, më së miri janë të evidentuara nga organizata Fondi për të Drejtën Humanitare, të prezantuara në Librin e Kujtimit të Kosovës (LKK) mbi të gjitha viktimat e luftës në Kosovë nga të gjitha etnitë. Sipas kësaj organizate gjatë luftës në Kosovë janë vrarë ose janë zhdukur gjithsej 13,535 njerëz.

Kjo shifër është nxjerrë në bazë të analizës së 31,600 dokumenteve nga burime të ndryshme, në mesin e tyre edhe nga një numër i madh i deklaratave të viktimave dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës. Në numrin e të vrarëve, shqiptarët e Kosovës përbëjnë numrin më të madh të viktimave, me 10.812, serbët 2,197, kurse romët, boshnjakët, malazezët dhe joshqiptarët e tjerë përbëjnë 526 viktima gjithsej.

Në hulumtimin e FDH-së, nxirren statistika edhe në bazë të komunave më të mëdha, ku del se territori i Gjakovës në perëndim të Kosovës, ka pasur humbjet më të mëdha. Në Gjakovë kanë mbetur të vrarë 1,022 civilë shqiptarë. Pas Gjakovës renditet Skënderaj me 984 të vrarë, Gllogovci me 804 vetë, Rahoveci me 724, Peja me 561, Prishtina me 466, Prizreni me 464, Vushtrria me 451, Suhareka me 434, Mitrovica me 417 vetë.

Për sa i përket vrasjes së civilëve serbë në krye ndodhet Komuna e Prishtinës, ku të vrarë kanë mbetur 130 civilë serbë, më pas vjen Gjilani me 98 serbë të vrarë, Prizreni me 80, Peja me 79, Rahoveci me 71, Gjakova me 61, Klina me 56, Lipjani me 43, Suhareka me 40 dhe Istogu me 39 civilë serbë të vrarë. Megjithë këtë numër të evidentuar të personave të vrarë nga forcat serbe të sigurisë, edhe sot 21 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, 1.647 persona konsiderohen si të pagjetur dhe për ta ende nuk dihet asgjë. Prej tyre rreth 420 serbë.

Dëbimi i shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe gjatë luftës

Gjatë periudhës së luftës së Kosovës, mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe të sigurisë. Këto të dhëna gjenden në një raport të organizatës së OKB-së për refugjatët, (UNHCR), e cila njofton se 862,979 refugjatë u larguan nga Kosova nga 23 marsi deri më 9 qershor 1999. Një shifër e ngjashme përmendet edhe në një raport të OSBE-së, ku thuhet se 863,000 civilë u dëbuan ga Kosova ndërmjet marsit dhe qershorit të vitit 1999. Ndërkohë, Amnesty International thekson se “deri në fund të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, më shumë se gjysma e popullatës civile të Kosovës jetonin në kampe refugjatësh në Shqipëri dhe Maqedoni.

Të pagjeturit pas luftës

Prej përfundimit të luftës e deri më sot, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur, sipas kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste të personave të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë. Fati i shumicës prej tyre tashmë është zbardhur, por për 1.647 persona ende nuk dihet asgjë. Autoritetet e Kosovës, por dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare bëjnë të ditur se rreth 80% e personave të zhdukur gjatë luftës kanë qenë meshkuj të moshës prej 18 deri në 40 vjeç. Pjesa tjetër janë e moshës 41 deri në 60 vjeç, por ka pasur raste të rrëmbimeve dhe zhdukjeve të personave mbi moshën 60-vjeçare”.

Varrezat masive pas luftës

Në Kosovë e në Serbi pas përfundimit të luftës u zbuluan një sërë varrezash masive. Në dokumentet e Tribunalit të Hagës, në aktakuzat e prezantuara për shumë të akuzuar për krime lufte nga pala serbe, prej marsit të vitit 2000 janë identifikuar 529 varreza masive, shumica dërmuese e tyre në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të 4.300 personave të vrarë.

Drejtori i organizatës Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj i tha Dë-së, se evidentimi i plotë i krimeve dhe mangësitë në mbledhjen e dëshmive edhe sot, 21 vjet pas përfundimit të luftës, krijojnë vështirësi të mëdha në përmbylljen e këtij procesi tepër të rëndë dhe të ndjeshëm.

“Pas kaq shumë vitesh është shumë e vështirë të gjenden burimet primare, për shkak të vdekjes ndërkohë të shumë dëshmitarëve dhe mungesës së dokumentacionit. Mirëpo në këtë proces mund të ndihmojë bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, si edhe burimet e Tribunalit të Hagës, të cilat kanë evidentuar dhe krijuar një arkiv për shumë krime”, thotë Bekim Blakaj.

Varrezat masive në Serbi të zbuluara pas luftës së Kosovës

Pas luftës së Kosovës, në Serbi janë zbuluar disa varreza masive, ku janë futur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë. Varreza më e madhe masive është zbuluar në Batajnicë afër Beogradit. Sipas të dhënave të deritanishme, në këtë poligon të njësive speciale të Serbisë, janë zbuluar trupat e rreth 930 personave. Burimet serbe besojnë se në Serbi ka gjithsej shtatë varreza masive, ndërsa sipas të dhënave që kishte UNIMK-u në vitin 2001, trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë janë gjetur në Batajnicë, në afërsi të Beogradit, ku u zbuluan 744 trupa. Në të njëjtin vit, në Petrovo Selo, në Serbinë Lindore, në një varrezë tjetër masive u gjetën 61 trupa.

Në vitin 2001, në liqenin Peruqac u zbulua një varrezë masive me 84 trupa. Në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë u gjetën mbetjet mortore të 52 personave. Dhe së fundmi në vitin 2020 u zbulua  një varrezë masive në afërsi të Rashkës në Kizhevak me mbetjet mortore të 17 personave që besohet se janë shqiptarë të Kosovës.

Drejtoresha e FDH në Beograd, Natasha Kandiq, thotë se pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, në periudhën prej 15 qershorit 1999 deri në fund të dhjetorit të vitit 2000, në Kosovë janë vrarë, kidnapuar apo zhdukur 1,257 persona: 717 serbë, 307 shqiptarë dhe 233 romë. Për hulumtuesin Bekim Blakaj nga organiztata FDH, është shqetësuese se varrezat masive po zbulohen shumë vite pas përfundimit të luftës.

“Është për t’u befasuar fakti që varrezat masive kanë filluar të hapen shumë vite pas luftës dhe tash së fundi kjo në Kizhevak, 21 vite pas luftës. Nuk mundet askush ta bindë opinionin që autoritetet e shtetit nuk kanë pasur informacione për lokacionet e varrezave masive, prandaj mendoj që në mënyrë të qëllimshme janë heshtur dhe nuk janë identifikuar lokacionet e tyre. Kemi shembull një varrezë masive në Serbi afër një kazerme ushtarake dhe për këtë autoritetet e atjeshme duhet të kenë pasur informacione”, thotë për DW, Bekim Blakaj.

Sipas tij, “po del që nuk ka pasur vullnet politik që këto informacione të nxirren”.

“Definitivisht ky proces i ngadalësuar i personave të zhdukur ka qenë peng i politikës dhe s’ka pasur vullnet politik që ky proces të kryhet shumë më herët”, thotë Blakaj.

Dhunimet gjatë luftës së Kosovës

Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës llogaritet të jetë rreth 20 mijë vetë. Këtë e pohoi në një fjalim para kongresit amerikan, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila thotë, se “deri tani askush nuk është dënuar për këto krime ani pse tashmë ka raste që kanë dalë të flasin publikisht për këto dhunime”.

Deri tani me emër e mbiemër janë identifikuar rreth 1200 viktima. Numri i personave që kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit përkatës të personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte 1050 deri në vitin 2018. Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 filloi procesin e regjistrimit të statusit të individëve dhe verifikimin e tyre dhe ky numër konsiderohet i vogël krahasuar me shifrën prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale të përmendur.

Në bazë të ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999. Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, gjë që mundëson marrjen e pensionit ligjor që arrin një vlerë prej rreth 230 euro në muaj.

Minire Begaj-Balaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, thotë se afati përfundimtar për të parashtruar kërkesën për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale, është pesë (5) vjet nga fillimi dhe zyrtarizmi i punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Ky komision ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018. Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës, vazhdimisht ka ndihmuar në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e kësaj qendre, konsideron se krahasuar me numrin e përgjithshëm të viktimave, numri i aplikimeve është jashtëzakonisht i vogël.

Rushiti kërkon edhe nga familjarët që t’i inkurajojnë dhe ndihmojnë viktimat që të realizojnë të drejtën e tyre që iu takon me Ligj. “Natyrisht që numri është i vogël. Por, pasi procesi ka filluar në vitin 2018, ky numër ka qenë i pritshëm për faktin se shumica e rasteve që tani janë në Komision, janë raste që kanë qenë duke u trajtuar paraprakisht më herët në organizatat joqeveritare.”

Shkatërrimi i pronës gjatë luftës së Kosovës

Human Rights Watch, në një raport të saj të pasluftës konstaton se shkatërrimi i pronës civile nga trupat e qeverisë jugosllave/serbe në 1999 ishte i përhapur gjithandej. Kjo organizatë duke cituar një sondazh të UNHCR-së të nëntorit të vitit 1999, raporton se pothuajse 40 përqind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar plotësisht. Nga një total prej 237,842 shtëpish, 45,768 u dëmtuan rëndë dhe 46,414 u shkatërruan. Shkollat dhe xhamitë u prekën në mënyrë të ngjashme. Sipas një vlerësimi të dëmeve nga Kombet e Bashkuara, nga 649 shkolla në Kosovë, më shumë se një e pesta e shkollave janë dëmtuar rëndë dhe më shumë se 60 përqind janë shkatërruar plotësisht.

Bashkimi Evropian, i cili ishte përgjegjës për shtyllën IV (rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik) në kuadër të misionit të UNMIK-ut, pas luftës kishte vlerësuar një kosto prej së paku 4 miliardë dollarë për një periudhë prej tre vjetësh për të rindërtuar Kosovën e shkatërruar nga lufta.

Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës, 21 vite më pas u ngrit si çështje në kuadër të dialogut që rifilloi në vitin 2020. Në këtë dialog po bisedohet pos të tjerash edhe për personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk publikojnë të dhënat e kostos së dëmeve të luftës së shkaktuar nga Serbia në Kosovë, ndonëse thonë se ato ekzistojnë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ekspertët e ekonomisë dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës realizuan një studim në të cilin janë vlerësuar dëmet e luftës. Haki Shatri, ish-ministër i Financave, që në vitin 2006 ishte koordinator i ekipit për çështje ekonomike, thotë se sipas të dhënave të ekspertëve që janë paraqitur në ato bisedime, dëmet në përgjithësi që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, llogariten rreth 22 miliardë euro. Në këto dëme përfshihen dëmet e shkaktuara në sektorin publik, atë privat, në fondin pensional, depozitat e qytetarëve e shumë dëme të tjera.

“Dëmet që janë bërë, ekonomitë familjare janë shkatërruar, janë djegur bagëtitë, prona shoqërore është shkatërruar, në disa raste është plaçkitur dhe fizikisht është bartur në Serbi etj. Delegacioni nga Kosova duhet t’i paraqesë këto të dhëna në tavolinë dhe faktori ndërkombëtar duhet të shohë se çfarë ka ndodhur”, thotë ish- ministri Shatri.

Edhe Muhamet Mustafa nga Instituti “Riinvest” ka qenë njëri nga koordinatorët e ekipit kosovar për çështje ekonomike në Grupin Negociator të Kosovës gjatë bisedimeve të Vjenës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Mustafa thotë se kompensimi i llogarive ekonomike dhe zhdëmtimi i atyre që kanë pësuar dëme gjatë luftës është çështje esenciale për normalizimin e marrëdhënieve dhe për fqinjësi të mirë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dëmet në pronën private gjatë luftës janë jashtëzakonisht të mëdha. Dhe kur është fjala për dëmet tek personat privatë as shteti dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk mund të intervenojë që të mos zhdëmtohen. Sepse konventat ndërkombëtare, si Konventa për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut e mbron pronën private nga dëmtime qoftë me motive politike apo të luftës. Dhe këtu kemi të bëjmë me të gjitha nacionalitetet”, thotë Muhamet Mustafa.

Sidoqoftë, askush në Kosovë nuk e ka bërë në mënyrë të duhur dhe të saktë evidentimin e dëmtimit të pronës gjate luftës, ndonëse në disa raste janë inicuar procedura në gjykatat vendore, por pa ndonjë rezultat. /DW/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img