Site icon PrishtinaPress

Krimet e Serbisë në Kosovë, Kurti: Nuk duhet t’i harrojmë, të kërkojmë të vendoset drejtësia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se krimet e Serbisë në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë dhe se  duhet kërkuar drejtësi.

Kurti në konferencën e Lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga Federata Universale e Paqes, tha se Serbia duhet të pranojë krimet në mënyrë që të arrihet pajtimi.

“Gjithçka do të kishte rrjedh tjetër sikur kreu politik dhe ushtarako policor i Beogradit të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve. Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkim-falja e pranimi i krimit, në mënyrë që të arrihet pajtimi”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se ëndrrat për paqe të qëndrueshme shihen aty ku janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës.

“Ëndrrat më të mira për paqe të drejtë, të qëndrueshme e të pacenueshme shihen atje kur janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës.

Njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës, por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik, gjeo-ekonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh duhet se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë e të qëndrueshme.

Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive e rrezikojnë edhe sot tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizimit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit e integrimit si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale, e gjithë kjo për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese”, tha Kurti, raporton Kp.

Ndryshe, konferenca ka bërë bashkë udhëheqës nga vendet e Ballkanit, institucionet rajonale dhe vendet evropiane.

Kjo konferencë organizohet nga Federata Universale e Paqes (UPF), në partneritet me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress, Washington Times Foundation, Shoqatën Ndërkombëtare të Mediave për Paqe (IMAP), dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Rinisë dhe Studentëve për Paqe (IAYSP).

Exit mobile version