Site icon PrishtinaPress

Krimet e “Bandës së Rinasit”, për çfarë grabitjesh të tjera po hetohet

Gjashtë persona tashmë janë arrestuar dhe së paku dy të tjerë janë shpallur në kërkim me akuzën se kanë kryer të paktën dy grabitjet me armë në rrugën Tiranë-Rinas.

Dosja penale i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka caktuar dy prokurorë për vazhdimin e hetimeve ndaj të akuzuarve për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “grabitje me armë më shumë se një herë”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Burime nga Prokuroria kanë thënë dje se pas zbulimit dhe dokumentimit të grabitjeve të ndodhura më 3 dhjetor 2015 (3.8 milionë euro) dhe 9 shkurt 2017 (3.2 milionë dollarë), grupi kriminal ku bënin pjesë edhe dy ish-komando të ushtrisë po hetohet edhe për një sërë krimesh të tjera, raporton “Panorama”.

Bëhet fjalë për disa grabitje me armë të ndodhura në Tiranë, Durrës, apo edhe në disa qytete të tjera të vendit, ku autorët kanë përvetësuar shuma të mëdha parash. Burimet thanë se veprimet hetimore në lidhje me këto ngjarje sapo kanë nisur, ndërsa në vazhdim pritet të merren deklarime edhe nga personat e arrestuar. Dyshohet se disa prej tyre kanë qenë pjesë e grupit të “babagjyshëve grabitës”.

DËSHMITARI KYÇ

Nga hetimi thuajse 2-javor pas grabitjes së ndodhur më 9 shkurt 2017 në rrugën e Rinasit janë arrestuar tashmë Fatjon Xhyliu, 33 vjeç, ish-polic privat i “Rogat”, Ditjon Memlika, 31 vjeç, ish- efektiv në Forcat Ushtarake, Neim Avdulaj, 28 vjeç, ish-ushtar profesionist në Forcat Ushtarake të Zall-Herrit, Ernest Kupa, Dash Kupa, të afërm të Ilir Kupës (djem xhaxhai) dhe Jetmir (Admir) Çerpja.

Ky i fundit, sipas burimeve nga Prokuroria, konsiderohet edhe si dëshmitari kyç në lidhje me grabitje të tjera që mund të ketë kryer grupi kriminal në fjalë. Sipas Prokurorisë, Jetmir Çerpja ka pranuar tashmë edhe vetë se ka pasur rolin e organizatorit dhe se ka qenë në pjesën e bandës që merrte informacion nga tre personat që vëzhgonin lëvizjen e parave (Fatjon Xhyliu, Ditjon Memlika e Neim Avdulaj) dhe e përçonte informacionin te personat që organizonin pritat me armë ndaj eskortave të policive private në autostradë.

Për këtë arsye, Prokuroria thekson se edhe për shkak të rëndësisë së thënieve të tij, Jetmir Çerpja do të propozohet për të marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Exit mobile version