Podujeva të hënën u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”. Një person e shndërroi atë pjesë në skenë krimi, pasi që plumbat që u shkrepën nga dy armët e lanë të vdekur 34-vjeçarin, Valmir Breznica dhe të plagosur bashkëshorten e tij. Një person që dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, Arsim Syla, tashmë është arrestuar, teksa dorasi akoma nuk është kapur.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se ekzekutimi i të riut, që njihej me nofkën “Dhija” ka ndodhur si në filma. Të shtënat tragjike nga dy armët që i përdori i dyshuari kryesor e lanë të vdekur në vend, pasi u qëllua rreth 8 herë.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari që e vrau viktimën, e ka gjuajtur fillimisht disa herë me njërën armë e më pas ka nxjerrë armën tjetër, duke e gjuajtur sërish, plumba këta që ishin tragjik për Breznicën.
Kush dyshohet se e ndihmoi dorasin për ta kryer veprën?
Sinjali sot raportoi se i dyshuari që tashmë është arrestuar, Arsim Syla, ka qenë bashkë me dorasin pak para se të ndodhte krimi, duke e planifikuar vrasjen e 34-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në vend nga të shtënat me armë zjarri.
Të njëjtat burime thonë se Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik dhe i njëjti më pas është prangosur e shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.
Personi që mbeti i vrarë Valmir Breznica, (34-vjeçar) i cili njihej me nofkën “Dhija” nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor e ka konfirmuar vdekjen e tij. Ndërsa bashkëshortja e tij, e cila u plagos, është dërguar në spital për trajtim mjekësor.