Presidenti i Federatës Ukrainase të Futbollit, Andriy Pavelko është paraqitur me një video-mesazh nga fushë-beteja, i cili është transmetuar gjatë Kongresit të FIFA-s dje.
Kreu i futbollit ukrainas ka kërkuar që të ndalet lufta në vendin e tij, por ndërkohë ai i është bashkuar ushtrisë ukrainase në tentim për ta ndalur agresorin rus.
Pavelko shpreson që shumë shpejt ai dhe populli i tij të dëgjojnë këngë tifozësh, e jo alarme sulmesh ajrore.
“Ne kemi marrë rregullisht lajme të trishtuara për vdekjen e anëtarëve të komunitetit të futbollit ukrainas. Ata janë vrarë nga raketat e agresorëve, nga një prej ushtrive më të mëdha në botë. Futbolli ka dalë në plan të dytë në vendin tonë. Ne shpresojmë të mos dëgjojmë alarme të sulmeve ajrore, por të dëgjojmë këngë tifozësh në stadiume”, u shpreh ai në video-mesazh.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ka lutur presidentin rus, Vladimir Putin që ta ndal sulmin ushtarak ndaj Ukrainës.