Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së, ka thënë se liberalizimi ka sjellë mundësi të për qytetarët tanë, por gjithashtu ka nxjerrë në pah sfida që kërkojnë vëmendje të veçantë.
Ai ka theksuar se vetëm në vitin 2022, ky numër arriti në 41,553 qytetarë, duke ndikuar në zvogëlimin e fuqisë punëtore aktive për 21,571 persona.
“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2024, shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe lëvizjes së lirë. Ky zhvillim ka sjellë mundësi të reja për qytetarët tanë, por gjithashtu ka nxjerrë në pah sfida që kërkojnë vëmendje të veçantë. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, gjatë dekadës së fundit, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022, ky numër arriti në 41,553 qytetarë, duke ndikuar në zvogëlimin e fuqisë punëtore aktive për 21,571 persona. Këto shifra tregojnë një prirje të vazhdueshme të emigrimit, e cila mund të ketë implikime serioze për tregun tonë të punës dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë ai për Gazeta Blic.
“Një anketim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) tregon se 35.6% e të rinjve të moshës 16 deri në 24 vjeç po konsiderojnë largimin nga vendi në pesë vitet e ardhshme, krahasuar me përqindje më të ulëta në grupmoshat më të vjetra. Kjo tregon se të rinjtë, të cilët janë shtylla e së ardhmes sonë, po kërkojnë mundësi jashtë vendit”, potencon ai për Expose.
“Është thelbësore të kuptojmë se lëvizja e lirë është një e drejtë dhe mundësi që duhet shfrytëzuar për zhvillim personal dhe profesional. Megjithatë, ne duhet të punojmë së bashku për të krijuar kushte që i inkurajojnë qytetarët tanë të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në Kosovë. Kjo përfshin përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim profesional”, ka shtuar Hykolli.
Ai shprehet i gatshëm që të bashkëpunojë me institucionet për adresim të sfidave që të parandalohet ikja e qytetarëve.
“Si Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, angazhohem që, në bashkëpunim me institucionet relevante, të punojmë për të adresuar këto sfida. Është detyra jonë të sigurojmë që qytetarët tanë të kenë arsye për të qëndruar dhe kontribuar në zhvillimin e vendit tonë. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka deklaruar Atdhe Hykolli./Gazeta Blic/