-0.5 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Buy now

spot_img

Krerët e shtetit serb kërcënojnë Kosovën, përmendin edhe luftën

Krerët e shtetit serb kanë reaguar dje me tone kërcënuese pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për suspendimin e Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pas pjesëmarrjes së saj në takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Serbisë, bashkë me presidentin serb.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq menjëherë është shfaqur me një reagim në rrjete sociale, duke thënë se me suspendimin e gjykatëses serbe, Kurti ka sulmuar Serbinë.

“Kurti ka shkelur marrëveshjet e Brukselit dhe sipas tij dhe të tjerëve që e mbrojnë atë, marrëveshjet e Brukselit më nuk ekzistojnë. Kurti është ai që dëshiron ta prishë paqen në Kosovë. Me vendime të tilla, ai dëshiron që t’i sulmojë qytetarët serbë aty ku ata jetojnë”, ka thënë ai.

Në fund, Vuçiq u është drejtuar vendeve të QUINT-it, duke u thënë se Serbia dëshiron paqe.

“Çfarëdo që bëni, Serbia do të jetë pranë njerëzve të saj”, ka thënë ai.

Një reagim të ngjashëm e ka pasur edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq e cila ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se “po e minon paqen me çdo vendim dhe se ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare duke mohuar të drejtat themelore të njeriut për serbët në Kosovë”.

Ajo ka vlerësuar se pas vendimit për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, “marrëveshja e Brukselit është e vdekur”.

“Dhuna brutale kundër serbëve në Kosovë vazhdon. Me çdo vendim të tij, Kurti minon paqen dhe stabilitetin në baza ditore, shkel marrëveshjet ndërkombëtare dhe mohon të drejtat themelore të njeriut për anëtarët e popullit tonë në Kosovë”, tha Brnabiq në një postim në Twitter.

Një kërcënim akoma më të hapur e ka bërë Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i cili ka thënë se shkarkimi i gjyqtares serbe në Mitrovicë, është hapi i parë drejt luftës mes dy shteteve.

“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilin shqiptarët (Vulin ka përdorur termin fyes “šiptari) po e përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk mbledh një takim në Bruksel dhe ndalon çfarëdo aksioni të dhunës kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar nga urrejtja. Çfarëdo që të sjellin ditët në vijim, është e sigurt se Serbia ka bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe se e gjithë përgjegjësia për stabiliteti i rajonit tani varet nga Bashkimi Evropian, KFOR-i dhe Kurti”, tha Vulin.

Lidhur me suspendimin e Stevanoviqit ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke e cilësuar si “skandaloz” vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi më 24 mars se ka suspenduar Stevanoviqin, por institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar se suspendimi i saj ka ardhur pasi ajo ka marrë pjesë në takimin me Vuçiqin në Beograd.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img