Site icon PrishtinaPress

Kremlini thotë se Rusia është duke e rishikuar doktrinën bërthamore

Rusia, fuqia më e madhe bërthamore në botë, e ka filluar përditësimin e doktrinës së vet bërthamore, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke cituar një deklaratë të mëhershme të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Presidenti Putin ka thënë se puna është duke u zhvilluar për ta vënë doktrinën në vijë me realitetet e tanishme” – tha Peskovi në një konferencë për gazetarë, pa dhënë hollësi, raporton agjencia “Reuters”.

Një anëtar i lartë i Kuvendit të Rusisë tha të dielën se Moska mund ta pakësojë kohën për vendimmarrje, që është e përcaktuar në politikën zyrtare për përdorimin e armëve bërthamore, nëse beson se rreziqet janë duke u rritur.

Muajin e kaluar, Putini tha se Rusia mund ta ndryshonte doktrinën e vet zyrtare bërthamore, duke vendosur kushte sipas të cilave armë të tilla do të mund të përdoreshin.

Lufta në Ukrainë e ka nxitur ballafaqimin më të madh mes Rusisë dhe Perëndimit që nga kriza kubane e raketave e vitit 1962.

Exit mobile version