10.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Kremlini përgëzon Washingtonin për ‘qëndrimin e matur’ ndaj raketave në Poloni

Për herë të parë, Kremlini zyrtar e ka përshëndetur qëndrimin e Washington-it mbi raketat e rëna në Poloni, të cilat i morën jetën dy personave.

“E vlerësojmë përgjigjen e matur të SHBA-ve ndaj lajmit të rënies së raketave në Poloni”, tha zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kjo, referuar deklaratës së presidentit amerikan, Joe Biden, i cili tha se “nuk ka shumë gjasë që sulmi të ketë ardhur nga Rusia”.

Gjithashtu, vetë pala ruse e ka mohuar sërish përfshirjen në rrëzimin e raketave në territor polak.

Po ashtu, kanë qenë edhe tre zyrtarë amerikanë kanë thënë për agjencinë e lajmeve Associated Press se dy raketat e rëna në Poloni, të cilat i morën jetën dy personave, nuk janë lëshuar nga Rusia por nga pala ukrainase.

Kjo, në përpjekje për të interceptuar disa raketa të tjera ruse, të cilat do të godisnin zonën perëndimore të Ukrainës.

Kështu, çështja e ngjarjes së pasdites së 15 nëntorit, e cila ngriti në këmbë gjithë diplomacinë ndërkombëtare, thellohet edhe më shumë, me dyshime të tilla.

Duke cituar AP-në, për shkak se ende nuk lejohen deklarat zyrtare mbi çështjen, tre zyrtarë të lartë amerikanë kanë pohuar në kushtet e anonimatit se raketat, edhe pse të prodhimit rus, janë lëshuar nga Kievi për të shkatërruar raketat e vërteta të lëshuara nga Rusia.

Në të tilla kushte, merr vlerë shtesë edhe deklarata e presidentit amerikan, Joe Biden, nga Bali i Indonezisë, ku po merr pjesë aktualisht në samitin e vendve të G20.

Prej atje, Biden shpjegoi se “pak gjasë ka që raketat të jenë lëshuar nga Rusia”.

“Ka prova fillestare, të cilat sugjerojnë se nuk ka qenë një sulm nga ana e Rusisë”, tha fillimisht kreu i shtetit amerikan, duke shtuar se nuk ka dëshirë të bëjë një deklaratë të plotë e të qartë, pa pasur në dorë një hetim të saktë e të thelluar mbi të gjithë dinamikën e ngjarjes.

“Nuk dua ta them pa e pasur një hetim tërësor dhe shterrues, por zor se ato dy raketa janë lëshuar nga Rusia, duke parë trajektoren e tyre. Gjithsesi, do të shohim kur hetimi të ketë përfunduar”, bëri me dije ai për publikun.

Të njëjtën gjë e bëri me dije edhe presidenti polak, Andrzej Duda, i cili në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp pas mesnate dhe pas një mbledhje me Byronë e Sigurisë Kombëtare në Varshavë, theksoi se nuk ka prova përfundimtare, se kush i lëshoi raketat që ranë në territor polak.

“Ne e dimë shumë mirë se ka pasur një sulm raketor rus kundër Ukrainës gjatë gjithë ditës, por nuk kemi asnjë provë përfundimtare se kush e ka gjuajtur atë raketë”, tha Duda. “Kjo ka shumë të ngjarë të jetë një raketë e prodhuar nga Rusia”.

Pas raportimeve në mediat polake, erdhi deklarata e një zyrtari të lartë të inteligjencës amerikane, i cili tha se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke vrarë dy persona.

Më pas u vendos mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Polonisë, e cila sapo përfundoi.

Aleatët reaguan menjëherë duke u shprehur se po kryejnë verifikime dhe se solidarizohen me Poloninë.

Raketat ruse goditën një zonë ku po thahej gruri në Przewodów, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.

Në mesditë, Rusia goditi objektet energjetike të Ukrainës me breshërinë e saj më të madhe të raketave deri më tani.

Ajo goditi objektiva nga lindja në perëndim dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Moldavia fqinje u prek gjithashtu. Ajo raportoi ndërprerje masive të energjisë pasi sulmet rrëzuan një linjë kryesore të energjisë që furnizon vendin e vogël.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki bëri thirrje nga ana tjetër për “qetësi dhe maturi” pas mbledhjes “urgjente” të qeverisë duke deklaruar se “kaosi është një armë ruse”.

Kreu i qeverisë polake theksoi fillimisht se janë ngritur të gjitha shërbimet në një gjendje gatishmërie të shtuar.

Ai konfirmoi se ambasadori rus në Poloni është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Sipas tij, autoritetet polake po monitorojnë hapësirën ajrore me vëmendje të veçantë dhe po kryejnë analiza dhe konsultime me aleatët në lidhje me përdorimin e nenit 4 të NATO-s.

“Ne kemi vendosur të rrisim gatishmërinë luftarake të degëve individuale të Forcave të Armatosura polake, me theks të veçantë në mbrojtjen ajrore”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri polak./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img