Site icon PrishtinaPress

Kremlini: Nuk po e shtyjmë Serbinë që të nxisë tensione në Kosovë

Kremlini hodhi poshtë pretendimet e Kosovës se Rusia po e shtynë Serbinë që ta destabilizojë situatën në Kosovën. Nga Kremlini thanë se Serbia vetëm po mbron të drejtat e serbëve etnikë.

I pyetur lidhur me deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, po synon të destabilizojë Kosovën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “është krejtësisht e gabuar” që të flitet për ndikimin destruktiv rus.

Ministri Sveçla deklaroi më 27 dhjetor se Serbia është ndikuar nga Rusia kur ka marrë vendimin që të rrisë në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave ushtarake dhe policore.

“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi”, tha ai, duke hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se Kosova po ashtu ka rritur nivelin e gatishmërisë luftarake.

 

Ndryshe, Rusia është aleate e Serbisë dhe Beogradi ka llogaritur në mbështetjen e Moskës për të bllokuar Prishtinën që të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare. Përderisa Serbia ende vazhdon të refuzojë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, Kosova e ka sanksionuar Moskën.

Serbia ka mohuar se po tenton të destabilizojë Kosovën dhe ka argumentuar se po i mbron serbët që jetojnë në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të martën se Serbia do të “vazhdojë të luftojë për paqe dhe kërkon një zgjidhje kompromisi”.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga nëntori, pasi zyrtarët serbë u tërhoqën nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kulmuan më 10 dhjetor, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada.

Barrikadat e ngritura në veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Që nga 10 dhjetori këto dy pikëkalime janë mbyllur për qarkullim, ndërkaq më 27 dhjetor u mbyll edhe pika kufitare e Merdares, pasi u vendosën barrikada në rrugën që çon drejt Merdarjes në anën e territorit të Serbisë.

Serbët lokalë kanë thënë se barrikadat në Kosovë janë vendosur në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës. Dejan Pantiq, sipas autoriteteve në Kosovë, është arrestuar nën dyshimet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kosova ka thënë se përgjegjës për barrikadat janë “grupet kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë. Beogradi, ndërkaq, ka thënë se barrikadat do të hiqen kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe./Prishtinapress/

Exit mobile version