3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Krejt çka tha Kurti në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, pati edhe takime

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ishte pjesëmarrës në Forumin Strategjik të Bledit, në Slloveni, i cili nisi punimet dje.

Përpos një paneli me liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor, Kurti zhvilloi edhe disa takime dypalëshe në margjinat e këtij forumi, ku theksoi nevojën për integrim të Kosovës, foli për gjendjen në veri, si dhe për zgjidhjen e tensioneve me Serbinë.

Gjatë fjalës së tij në panel, Kurti foli për marrëdhëniet e Kosovës me pesë vendet mos-njohëse në Bashkimin Evropian për të cilat tha se atmosfera është më e mirë se që ka qenë në të kaluarën

Madje, ai mori edhe disa duartrokitje nga audienca, në një replikë ndaj kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, e cila tentoi ta mohojë ekzistencën e Republikës së Kosovës.

“E ashtuquajtura Republika e Kosovës nuk është vend ndërkombëtarisht i njohur”, theksoi kryeministrja serbe, ndaj të cilës Kurti iu përgjigj me disa argumente faktike që dëshmojnë lidhjen e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Përkrahja në Kosovë për Bashkimin Evropian në Kosovë është 94 për qind, në Serbi është rreth 45 për qind. Ne i kemi vënë sanksionet kundër federatës ruse, Serbia jo, as që e mendon këtë. Nuk e distancon vetën as nga Millosheviqi as nga Putini, prandaj nuk është e thjeshtë për ne”, tha Kurti, fjala e të cilit ndërpritet nga duartrokitjet e audiencës.

Kurti iu gëzua edhe një deklarate të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili tha se BE-ja duhet zgjeruar deri në vitin 2023. Kjo, sipas Kurtit, nënkupton se procesi i integrimit të Kosovës do të përshpejtohet, çka edhe e konsideroi inkurajuese.

Kë takoi Kryeministri Albin Kurti dhe çfarë mesazhe përcolli?

Kryeministri Kurti, takimet e tij dypalëshe i nisi me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov, një javë pas darkës joformale në Athinë, me ftesë të Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Me homologun e tij bullgar, kryeministri Kurti ka folur për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe optimizimin e potencialit të bashkëpunimit sidomos në fushën e ekonomisë.

“Në qershor të këtij viti Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari themeloi selinë e saj në Sofje. Numri i investitorëve bullgarë në Kosovës është rreth 135 me fuqi investuese rreth 6 milionë euro të shtrirë në disa sektorë si ai i tregtisë dhe shërbimeve, turizmit, ndërtimtarisë, teknologjisë së informacionit dhe transportit”

Kurti gjithashtu e ftoi atë për vizitë në Kosovë në një të ardhme të afërt.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Arbëresha Kryeziu Hyseni dhe këshilltari politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj.

Një tjetër takim, shefi i ekzekutivit kosovar e pati me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach.

Sipas njoftimit për media të Zyrës së Kryeministrit, në takimin që është zhvilluar në përgjatë Forumit të Bledit për Siguri, është diskutuar për bashkëpunimin rajonal, çështjet aktuale dhe situatën në katër komunat në veri të vendit.

Kurti thuhet se e ka njoftuar Peachin “mbi mbarëvajtjen e zbatimit të marrëveshjes së Bratisllavës ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri të vendit”.

I rëndësishëm ishte takimi me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, që përfundoi me një njoftim të rëndësishëm.

Pas këtij takimi, u paralajmërua se në shtator pritet të mbahet takimi i radhës i Nivelit të Lartë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Me Lajçakun Kryeministri diskutoi edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit”, thuhet në komunikatë.

Qeveria dha edhe detaje tjera nga biseda.

“Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, Kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prij një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”.

Pasoi takimi me kryeministrin slloven, që është edhe nikoqir i Forumit Strategjik të Bledit, Robert Golob. Ky ishte takimi i parë dypalësh mes tyre.

Në këtë takim është diskutuar për marrëdhënien mes dy shteteve, me ç’rast Kurti ka theksuar se Sllovenia është ndër pesë investitorët kryesorë në ekonominë e Kosovës

Kurti i ka shprehur keqardhje Golobit edhe për vërshimet që ndodhën në Slloveni në fillim të muajit gusht.

Sipas Kurtit, ka disa gjëra që e bëjnë Kosovën vend të përshtatshëm për investimet sllovene, siç është pozita e përshtatshme gjeografike, politikat e favorshme fiskale, stabiliteti institucional dhe potenciali i fuqisë punëtore.

“Në kuadër të temës “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, ata diskutuan edhe për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe dialogun për zbatim të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit”, thuhet në fund.

Ditën e tij, Kryeministri Kurti e përmbylli me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, me të cilin diskutoi mbi çështjet aktuale në vend dhe për procesin e dialogut, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

“Kryeministri theksoi se pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj pa incidente dhe protesta të dhunshme në katër komunat në veri, dhe ulje të prezencës së Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave të komunave përkitazi me situatën në teren, deeskalimi tashmë ka ndodhur, dhe se rieskalimi potencial duhet të parandalohet”, u tha në njoftimin e Kryeministrisë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img