Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi se Udhëzimi Administrativ është forma demokratike e përmbushjes së një kërkesë të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga zyrat para aftit të zgjedhjeve të rregullta.
Sipas tij, nëse ka vullnet qytetar të mbledhin 20 përqind të nënshkrimeve, pastaj do të organizohet votimi për largimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit. Dhe nëse rezultati është 50 +1 votë, do të ketë zgjedhje të parakohshme në katër komunat e veriut dhe kudo që kjo iniciativë iniciohet nga qytetarët e komunave të Republikës së Kosovës.
Gjatë konferencës për media, ai tutje shtoi se në këtë moment është i rëndësishëm vlerësimi i drejtë i situatës dhe se si qeveri kanë pasur një angazhim të theksuar në mënyrë që ky udhëzim administrativ të kryhet në afate shumë të shpejta dhe si përgjigje e marrëveshjes së Bratislavës.
“Në këtë Udhëzim Administrativ kanë punuar ekspertë më të mirë të ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të të gjitha institucioneve shtetërore. Gjithashtu kemi pasur edhe një mbështetje edhe me ekspertë dhe një koordinim të vazhdueshëm me gjithë aktorët e rëndësishëm. Kemi pasur takime të ndryshme edhe me përfaqësues të ambasadave të QUINT-it që të prezantohet puna e grupit punues që të merren parasysh edhe udhëzimet profesionale të tyre, zyra e Bashkimit Evropian, e kështu me radhë”.
Në këtë grup punues ka pasur edhe përfaqësues të komunave të Kosovës dhe ato të shoqërisë civile dhe besoj që produkti të cilin ne e kemi para vetes është instrumenti i vetëm demokratik për inicimin e kërkesës së qytetarëve për largimin e kryetarëve nga zyrat, për shkak se ka qenë i vetmi institucion kryetari i komunës i cili nuk ka paraparë edhe formën se si mund të largohet, pos votimit të drejtpërdrejtë dhe dhënies së dorëheqjes. Kështu që, tash një kryetar i komunës me votën e njëjtë që zgjidhet, mundet edhe të largohet. Është e drejtë e qytetarëve për inicimin e peticionit për largimin e kryetarëve nga zyra”, deklaroi Krasniqi.