-2.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Krasniqi takon studentët e mjekësisë: E kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës

Paramendojeni një të ri/re që ka dëshirë të madhe për të kryer studimet jashtë Kosovës.

Por edhe që nuk e ka idenë, ku të aplikojë, çfarë dokumente duhen për aplikim, sa kushton gjithë procedura, e shumë dilema tjera.

Në situatë të njëjtë ka qenë Tringa Krasniqi nga Prishtina, gati një dekadë më parë.

Si 18-vjeçare, ajo ka ëndërruar që studimet Bachelor t’i kryejë jashtë Kosovës, por mungesa e informacionit ia ka ndalur hapin.

Me kalimin e kohës, Tringa, tani 28-vjeçare, ka realizuar ëndrrën për të studiuar jashtë vendit, duke fituar diplomë të nivelit master në fushën e administrimit të biznesit në Universitetin Georgetown në Uashington, dhe pas kthimit në Kosovë, e ka hapur një qendër në Prishtinë për t’i udhëzuar të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit.

Në një bisedë në podkastin Të flasim, Tringa ka treguar plot informacione për ata e synojnë një përvojë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Tringa, pse vendosët që ta hapni qendrën Ivy Journey?

Tringa Krasniqi: Për shkak të ngjarjeve personale. Kur kam qenë e re, kam pasur shumë dëshirë të studioj jashtë shtetit për studime Bachelor, por nuk e dija si t’iu qasem procedurave, më dukej e pamundur që unë si një kosovare, 18-vjeçare, të fitoj bursë të plotë. Në Shtetet e Bashkuara, vlera e bursës është 350.000 dollarë. Më dukej e pamundur që të mund ta fitoj. Me kohë i kam kuptuar procedurat dhe e kam udhëzuar vëllain. Vëllai im më pas është pranuar në Universitetin e Harvardit me bursë të plotë. Atëherë e kam kuptuar që nëse mundet ai, mundet gjithsecili, për aq kohë sa i ka mjetet.

Radio Evropa e Lirë: A mund të kthehesh pak mbrapa në kohë, te periudha kur keni pas dëshirë të studioni jashtë vendit, për emocionet e asaj kohe?

Tringa Krasniqi: Atë kohë, ka qenë viti 2012. Kanë ekzistuar disa qendra të vogla, por kryesisht për teste të standardizuara siç është TOEFL. Asistencë për ese nuk është ofruar atë kohë, ndërsa esetë kanë qenë shumë të rëndësishme për t’u pranuar nëpër universitete. Pas përfundimit të studimeve bachelor, u interesova për dy bursa shumë të mëdha për studime në Shtetet e Bashkuara, të KAEF-it dhe Fulbright-it. E pata marrë shumë seriozisht procesin e aplikimit. Atë vit i fitova të dyja bursat, dhe e realizova ëndrrën time.

Radio Evropa e Lirë: Të flasim për përvojën e të studiuarit jashtë vendit.

Tringa Krasniqi: Shumicën e mësimeve nuk i kam nga klasat, sepse sot e kemi Google-in për gjithçka. Më shumë mëson nga takimi me njerëz të ndryshëm nga shtete që nuk ke dëgjuar kurrë për to, ose ekspozohesh ndaj mënyra të ndryshme të të menduarit. Aty qëndron vlera më e madhe e programeve. Më pas viziton edhe vende tjera. Ne fatkeqësisht për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave, nuk mund të udhëtojmë shumë. Kështu që kur udhëton jashtë vendit, sheh vende të reja, takon njerëz të rinj, por edhe e kupton që ekzistojnë shumë ngjashmëri. E pata zbuluar qysh indianët janë si ne, bashkëpunojë si komunitet, ndërsa amerikanët janë më individualistë. Më pas kjo përvojë të ndihmon të rritesh si person. Mëson pastrohen rrobat, si përgatitet ushqimi, rritesh si person.

Radio Evropa e Lirë: Për cilat vende ka më shumë interesim për studime, në Evropë, në Shtetet e Bashkuara, apo edhe cilat drejtime i pëlqejnë më shumë të rinjtë e Kosovës?

Tringa Krasniqi: Zakonisht janë tri drejtime: biznes, ekonomi dhe juridik, derisa interesimi më i madh është për Gjermani dhe Austri, sepse në këto shtete, për aq kohë sa pranohesh në një universitet publik, nuk duhet të paguash asgjë, apo vetëm një shumë të vogël për semestër, 150 euro. Një gjë që duhet ta dinë të rinjtë është që nëse duan të kryejnë studime bachelor, atëherë duhet ta dinë gjuhën gjermane, e për master ka edhe shumë programe në gjuhën angleze.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të dinë të rinjtë që duan të kërkojnë ndihmë në qendrën tuaj, cila është procedura?

Tringa Krasniqi: Së pari konsultohemi me ta, sa e kanë notën mesatare, çfarë dëshirojnë të studiojnë dhe pastaj i udhëzojmë se çfarë teste duhet t’i përfundojnë. Hapi i parë është përpilimi i një liste që i përshtatet buxhetit, por edhe interesave. Pastaj vendosim për aplikimin. Dikush dëshiron të aplikojë në vetëm një universitet, ka edhe prej atyre që aplikojnë në 24 universitete. Pastaj nisim aplikimin. Aty përfshihet asistenca me ese, letra të rekomandimit, përgatitje për intervistë, pra për gjithçka derisa të kemi përgjigjen prej universitetit.

Radio Evropa e Lirë: Sa janë të suksesshëm të rinjtë në këto përpjekje?

Tringa Krasniqi: Janë shumë të suksesshëm. Fatmirësisht të rinjtë e Kosovës e flasin mirë gjuhën angleze dhe shkolla, edukimi kanë rëndësi. Një pjesë e mirë e kanë notën mesatare të lartë, pra mbi 9.0, dhe nuk kanë probleme për pranim.

Radio Evropa e Lirë: Sa është i kushtueshëm gjithë procesi?

Tringa Krasniqi: Për të studiuar jashtë vendit, nëse nuk siguron bursë, një student/e duhet t’i ketë 10.000 euro. Siç e përmenda, vendi më i lirë është Gjermania. Kush dëshiron të studiojë atje, ambasada ua kërkon një dëshmi të fondeve. E çmimet tona varen edhe prej vendit ku aplikon studenti/ja dhe sa punë ka aplikimi. Por zakonisht shkon deri në 300 euro për universitet.

Radio Evropa e Lirë: A studiojnë të rinjtë e Kosovës më shumë me bursa, apo me vetëfinancim?

Tringa Krasniqi: Kohëve të fundit më shumë shkojnë me vetëfinancim. Sepse, shembull kur shkon në Gjermani, ekziston e drejta që çdo student/e ndërkombëtar/e të punojë 20 orë në javë. Me ato orë punë, studentët mund t’i mbulojnë shpenzimet e tyre. Sigurimi i një burse është goxha sfidë, pasi ka raste kur 130 persona aplikojnë për gjashtë bursa. Çdo vit bursat po zvogëlohen dhe Kosova nuk e ka më epitetin e shteti të pasluftës, kur janë ndarë shumë ndihma.

Radio Evropa e Lirë: Kur duhet të nisin të përgatiten për një bursë, a ekzistojnë afate kohore?

Tringa Krasniqi: Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë dy bota të ndryshme. Për master në Evropë është mirë që të nisin procedurat një vit më herët, por bën edhe gjashtë muaj përpara. Ndërsa për studimet bachelor në SHBA, sa më herët është më mirë. Do të thotë, nuk po flasim për klasën e 12-të, por që të nisin përgatitjet qysh në klasën e nëntë apo të 10-të.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë thonë të rinjtë që tani janë duke studiuar jashtë shtetit, a keni komunikim me ta?

Tringa Krasniqi: Kur komunikoj me ata, më tregojnë se po kalojnë shumë mirë, po e pëlqejnë kampusin, lëndët, qasjen e profesorëve, sa të qasshëm janë, sa e lehtë është të punosh me ta. Disa vendosin të mos kthehen menjëherë në Kosovë, dëshirojnë të bëjnë pak përvojë pune.

Radio Evropa e Lirë: A u kthyet ju menjëherë?

Tringa Krasniqi: Bursa ime e ka pasur obligator kthimin në Kosovë, minimumi për dy vjet. E kam pasur pas dy vjetëve mundësinë e kthimit në SHBA, mirëpo mua personalisht më duket jeta shumë më e mirë në Kosovë. Më duket që ta kesh komunitetin dhe familjen afër vetes, e shton kualitetin e jetës, që SHBA-ja apo vendet tjera nuk mund ta zëvendësojnë. Më është dukur që në Kosovë mund të bëjë shumë më shumë, sesa nëse kthehem në SHBA.

Për të rinjtë që kanë dorëzuar aplikimet apo janë në këtë fazë, përgatiteni veten për gjithçka këtë periudhë, qoftë ajo fitore, apo më shumë përpjekje për bursë në aplikimin e radhës.

Ju të tjerët, nëse nuk jeni të sigurt, provojeni pse jo.

Siç duket përfitimet e kësaj përvoje i tejkalojnë vështirësitë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img