Site icon PrishtinaPress

Krasniqi shpall fitoren e PDK-së: Pesë komuna fituam pa balotazh, shtatë të tjera i fitojmë në rundin e dytë

Kryetari i Partisë Demokratike të  Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media tha se PDK-ja në këto zgjedhje lokale, ka shënuar rezultat, sipas tij, të jashtëzakonshëm anembanë Kosovës.

Krasniqi tha se sot, qytetarët u bashkuan, për të mbajtur e rikthyer qeverisjet e mira nëpër komunat e Kosovës, me Partinë Demokratike të Kosovës.

Tutje, i pari i PDK-së tha se ka fituar pesë komuna pa balotazh, ndërkohë që në rundin e dytë të zgjedhjeve tha se do t’i fitojë edhe shtatë komuna të tjera.

“Partia Demokratike e Kosovës është partia e lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit. Ajo ka qenë e fortë, mbetet e fortë dhe do të bëhet edhe më e fortë. Qytetarët treguan sot se sa më e fortë që të jetë Partia Demokratike e Kosovës, aq më i sigurt e më i zhvilluar është edhe shteti i Kosovës. Bazuar në të dhënat tona nga terreni dhe rezultatet e deritashme të KQZ-së, PDK ka fituar pa balotazh në Mitrovicë, Ferizaj, Skënderaj, Kacanik dhe në Han të Elezit. Ndërkaq, ne jemi në balotazh dhe me besimin e qytetarëve me 14 nëntor do ta fitojmë Prizrenin, Drenasin, Vushtrrinë, Shtimen, Dragashin, Malishevën, Klinën dhe jemi në pritje të rezultateve edhe në Fushë Kosovë. Qytetarët e vendlindjeve të Hashim Thacit e Kadri Veselit, sonte dëshmuan sërish mbështetjen e madhe për themeluesit e UCK-së, PDK-së dhe Shtetit të Kosovës.”, tha ai.

Fjalimi i plotë i Memli Krasniqit:

Përshëndetje të gjithëve

Të nderuar përfaqësues të mediave, të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot është një moment i rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës – një moment i rëndësishëm për vendin tonë.

Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje lokale, ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm anembanë Kosovës.

Sot, qytetarët u bashkuan, për të mbajtur e rikthyer qeverisjet e mira nëpër komunat e Kosovës, me Partinë Demokratike të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës është partia e lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit.

Ajo ka qenë e fortë, mbetet e fortë dhe do të bëhet edhe më e fortë. Qytetarët treguan sot se sa më e fortë që të jetë Partia Demokratike e Kosovës, aq më i sigurt e më i zhvilluar është edhe shteti i Kosovës.

Bazuar në të dhënat tona nga terreni dhe rezultatet e deritashme të KQZ-së, PDK ka fituar pa balotazh në Mitrovicë, Ferizaj, Skënderaj, Kacanik dhe në Han të Elezit. 

Ndërkaq, ne jemi në balotazh dhe me besimin e qytetarëve me 14 nëntor do ta fitojmë Prizrenin, Drenasin, Vushtrrinë, Shtimen, Dragashin, Malishevën, Klinën dhe jemi në pritje të rezultateve edhe në Fushë Kosovë.

Qytetarët e vendlindjeve të Hashim Thacit e Kadri Veselit, sonte dëshmuan sërish mbështetjen e madhe për themeluesit e UCK-së, PDK-së dhe Shtetit të Kosovës.

Në këto zgjedhje, kandidatët tanë për kryetarë të komunave dhe për Asamble Komunale, kanë treguar kulturë të lartë politike dhe fushatë të jashtëzakonshme. I falënderoj secilin për punën e madhe.

Në këto zgjedhje, në mënyrë të vecantë, e gjithë Kosova e ka përkrahur e përgezuar fushatën dhe programin e kandidatit tonë në Prishtinë, Uran Ismaili.

Falë fushatës dhe programit të tij, modern dhe shembull, që i ka dhënë shpirt të ri politikës, politikës për qytetarin, PDK ka shënuar rritje 100% në Prishtinë.

E falënderoj dhe e pergëzoj Uranin, si dhe ekipin e tij në Degën e Prishtinës, për punën e jashtëzakonshme.

Në këto zgjedhje, qytetarët kanë thyer barrierat politike dhe kanë përkrahur kandidatët dhe programin që ka adresuar nevojat e tyre. E natyrisht, PDK është e para këtu.

Qytetarët treguan se asnjë propagandë, asnjë manipulim populist nuk mund ta mposhtë të vërtetën dhe të mirën.

Sot, qytetarët treguan edhe një gjë, pakënaqësinë e madhe të tyre me punën e Qeverisë së Albin Kurtit, qysh në tetë muajt e pare të kësaj qeverie. Për ne fillon një rrugëtim i ri, duke u bashkuar me qytetarët, për ta ndalë degradimin e vlerave qeverisëse në vend. Kosova sot tregoi se ka ndërtuar një sistem demokratik, institucione kredibile për të organizuar zgjedhje të lira, demokratike e shembull për rajonin.

Kjo po bëhet falë punës së madhe e shumëvjecare të burrave dhe grave për ta ndërtuar këtë shtet, e që shpesh disa e kanë mohuar.

Përgëzimet dhe falenderimet më të mëdha shkojnë për qytetarët e Kosovës, që edhe sontë dëshmuan vlera të larta demokratike dhe qytetëruese.

Faleminderit Kosovës!

Exit mobile version