Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar përsëri në lidhje me kindapimin e tre policëve brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe.
Ai ka thënë se janë bërë pesë ditë nga kindapimi i tre zyrtarëvë tanë policorë dhe ende nuk kemi informacion për gjendjen e tyre.
“Sot janë bërë pesë ditë nga kidnapimi i tre zyrtarëve tanë policor, brenda territorit të Kosovës, nga forcat serbe. Për pesë ditë, nuk kemi asnjë informacion për gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin e tyre nga autoritetet serbe dhe, fatkeqësisht, akoma asnjë vizitë tek ta”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin e tij në Facebook.
Tutje Krasniqi ka thënë se Qeveria po na mbanë në errësirë në lidhje me gjendjen e tyre.
“Derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria po na mbajnë në errësirë në lidhje me situatën e tyre”, ka thënë Krasniqi.
Mes tjerash Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria që të jenë më të përgjegjshëm për rikthimin e tyre në shtëpi.
“Kërkoj nga Qeveria që të luaj një rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës. Mbi të gjitha, kërkoj nga Kryeministri që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtarë – si mënyra e më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre”, është shprehur Krasniqi.