Site icon PrishtinaPress

Krasniqi: Qëndrimi në opozitë i mundëson PDK-së kthimin te kuota e 200 mijë votave

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka treguar arsyet pse kjo parti nuk dëshiron të jetë pjesë e ndonjë qeverie.

Krasniqi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se PDK përmes qëndrimit në opozitë dëshiron të kthehet në kuotën e 200 mijë votave.

“Në zgjedhjet e fundit ne kemi dalë si partia e tretë me 180 mijë vota, 20 mijë me pak se që PDK ka pasur tradicionalisht”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i PDK-së thotë se do të jenë përfaqësues të popullit me atë besim që kanë marrë.

“Ne rënien me 20 mijë vota e kemi marrë me shumë seriozitet dhe po punojmë që ta kthejmë PDK-në aty ku e ka vendin- si parti e parë”.

Krasniqi ka thënë se tash që PDK do të jetë në opozitë reformimi do të jetë më i lehtë pasi kanë më shumë kohë.

“Të qenit në qeveri nuk te jep shumë kohë për shkak të angazhimeve që mund të kenë figurat e partisë në ministri të ndryshme”, tha ndër të tjera Memli Krasniqi./Telegrafi/

Exit mobile version