Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllime për popullin turk pas tërmetit që tronditi Turqinë, mëngjesin e së hënës.
Në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Krasniqi ka thënë se populli i Kosovës është me ta në këtë periudhë të rëndë.
“Mëngjesi i sotëm na gjeti me lajmin e hidhur që vjen nga Turqia, ku si pasojë e një tërmeti të fuqishëm kanë humbur jetën qindra qytetarë dhe qindra të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa fshatra e qytete të shumta kanë pësuar dëme të paimagjinueshme. Në këto momente të vështira dhe tragjike, ndajmë dhembjen me shtetin dhe popullin turk. Presidentit Erdoğan dhe të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, u dërgoj ngushëllimet më të sinqerta. Populli i Kosovës është me ta në këtë periudhë të rëndë”, shkroi ai.
Ndërkaq, sipas raportimeve tërmeti prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë, ka lënë të vdekur më shumë se 500 njerëz.