-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Krasniqi nuk pret rritje të migrimit pas 1 janarit, gjatë qeverisjes Kurti e lëshuan Kosovën 200 mijë qytetarë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nuk pret ikje më të madhe të qytetarëve pas 1 janarit 2024, kur nis qarkullimi i kosovarëve pa viza në zonën Shengen, sesa migrimi që ka ndodhur në dy vitet e fundit, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, raporton Ekonomia Online.

Kreu i PDK-së ka thënë për Ekonomia Online se shqetësuese është largimi i 200 mijë njerëzve, shumica profesionistë e të punësuar, jo vetëm i nevojtarëve, që ka ndodhur para liberalizimit të vizave. Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi njerëzit po e humbin besimin në mundësitë që ofron Kosova.

“Unë nuk e shoh shumë problem 1 janarin 2024 dhe lëvizjen pa viza. Kjo është e mirëseardhur, është e vonuar e stërvonuar dhe mirë që ka ndodhur përfundimisht”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për EO, e cila e plotë do të publikohet pas Vitit të Ri.

“Ajo që ka qenë problematike është largimi i qytetarëve para liberalizimit të vizave, sepse lëvizja në zonën e Shengenit, vizita për të parë mundësitë, qofshin ato edukative, ndoshta edhe të punësimit, është më pak problematike dhe e dëmshme sesa fakti që në dy vitet e fundit, apo dy vitet e gjysmë qeverisje të Kurtit, e kanë lëshuar Kosovën mbi 200 mijë qytetarë. Shumica prej tyre me kontrata të punës, shumica prej tyre profesionistë, prej inxhinierëve, arkitektë e deri te mjekë, e cilido profesion tjetër. Kjo për mua është shqetësimi më i madh, sepse ka ndikuar që të ketë vërtet një shpopullim në disa prej viseve të Kosovës”.

“Edhe më shqetësuese është që për herë të parë e kemi parë një largim të njerëzve nga të gjitha llojet e demografive, pra jo vetëm nga zonat rurale, por edhe nga zonat urbane; jo vetëm nga një rajon, por nga të gjitha rajonet; jo vetëm nga të papunët e nevojtarët, por edhe nga profesionistët dhe të punësuarit”.

“Ka qenë pra një largim, i cili mua ma ka dhënë një frikë që ndoshta është një humbje e besimit në mundësitë që i ofron Kosova. Përgjegjësia e qeverisë është absolute në këtë drejtim”, thekson lideri opozitar.

Sipas tij, kryeministri Kurti dhe ministrat e tij janë aktivë vetëm në propagandë.

“Absurditetet e tij janë të jashtëzakonshme. Para disa ditësh, në dhjetor, dolën dhe thanë që ekonomia e Kosovës është e treta në Evropë. As fëmijët nuk mund ta besojnë një gjë të tillë. Sepse ekonomia e Kosovës duke qenë edhe ashtu e vogël, me rritjen 3.5 për qind, ndoshta mund të krahasohet me Ukrainën, e cila është në luftë… Nuk mund të krahasohet as me shtetet e rajonit. Kjo i bie që jemi më mirë se Shqipëria, kjo i bie që jemi më mirë se Mali i Zi, kjo i bie që jemi më mirë edhe se Sllovenia e si Kroacia. Por mendoj se është një absurditet në vete, por që është pjese e propagandës qeveritare e cila fatkeqësisht vazhdon që të jetë shumë aktive”.

“Sikur të ishin punët mirë në këtë vend nuk kishin ikur 200 mijë qytetarë prej qeverisjes së Albin Kurtit. Nëse vërtet këta ministra e ky kryeministër besojnë që kanë bërë punë të mira, a munden me na dhënë përgjigje pse e kanë lëshuar vendin 200 mijë njerëz”, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. /EO/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img