Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Komunën e Skenderajt në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës, ku ka kritikuar qeverinë për mungesën e ujit të pijes në këtë komunë.
Kryetari i PDK-së, pas takimit me kryetarin e Skenderajt Fadil Nura, kkritikoi Qeverinë Kurti për neglizhencë të kërkesave të komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare në nivel qendror.
“E vërteta është që shumicën dërrmuese të komunave në Kosovë, i udhëheqin partitë opozitare, por kjo s’duhet të jetë pengesë për qeverinë dhe për kryeministrin Kurti që t’i mbështesë këto komuna, derisa kemi raste ta zëmë që qeveria merr vendime për t’i obliguar kafiteritë që t’iu çojnë ujë nga çeshmja atyre që porosisin kafe, qytetarët e Drenicës, të Skenderajt në veçanti i penalizon duke ua pamundësuar shërbimin e ujit të pijes edhe për nevojat më bazike”, theksoi lideri i PDK-së.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura tha se qeveria aktuale e ka hequr komplet nga buxheti i këtij viti projektin kryesor që do të mundësonte furnizimin me ujë të pijes për qytetarët e kësaj komune.
“Një nga problemet më të mprehta në Komunën e Skenderajt është uji i pijes, një projekt madhor, i cili ka qenë në procedura të prokurimit, përkatësisht në organin e OSHP-së, fatkeqësisht nga qeveria e sotme është anuluar. Është hequr nga buxheti i planifikuar dhe kjo ka bërë që sot Skenderaj dhe 53 fshatra të ngelin kryesisht pa furnizim me ujë të pijes, gjë që është me të vërtetë për keqardhje”, tha Nura.
Ai shtoi se të gjitha projektet që po realizohen aktualisht në Komunën e Skenderajt janë me buxhet vetanak të komunës dhe përmes donacioneve.