Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, ku ka vlerësuar pozitivisht fushatën zgjedhore dhe ka diskutuar për hapat e ardhshëm politikë të partisë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar të gjithë anëtarët e partisë, strukturat dhe mbështetësit për kontributin e tyre në arritjen e rezultatit më të mirë ndër vite për PDK-në.
Ai ka theksuar se mbi 200 mijë qytetarë kanë dhënë besimin e tyre ndaj Partisë Demokratike.
“Mbi 200 mijë qytetarë na kanë dhënë besimin e tyre, duke e konfirmuar Partinë Demokratike të Kosovës si forcë kryesore në skenën politike të vendit. Ky është një votëbesim i madh dhe një përgjegjësi që e marrim me seriozitet të plotë për të vazhduar misionin tonë për një Kosovë ma të mirë,” ka thënë kryetari Krasniqi.
Nga ana tjetër, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e plotë të kryetarit Krasniqi dhe të Kryesisë për “përkushtimin dhe punën e palodhshme që ka sjellë këtë rezultat të rëndësishëm për PDK-në.”
“Në takim, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka falënderuar kryetarin Krasniqi për mbështetjen e plotë gjatë gjithë fushatës, si dhe Kryesinë për përkushtimin dhe punën e palodhshme që ka sjellë këtë rezultat të rëndësishëm për PDK-në.
Kryetari Krasniqi dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, kanë konfirmuar se çdo vendim politik i PDK-së do të merret me përgjegjësi nga organet drejtuese të partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore.” – thuhet mes tjerash në njoftim.