Kryetari i PDK-së, Memli Kasniqi, me zyrtarë të tjerë të PDK-së kanë mbajtur sot një takim me strukturat e partisë në Vushtrri, ku ka thënë se e gjithë Kosova po vuan nga një qeverisje depresive.
Sipas kryetarit të partisë më të madhe opozitare, Qeveria Kurti nuk ka projekte zhvillimore e as ide për të ardhmen.
“Bashkë me kolegë të Partisë Demokratike të Kosovës takuam strukturat e Degës në Vushtrri, qytetin të cilit Ferit Idrizi ka nisur t’i jap vëmendjen që meriton, përkundër mungesës së mbështetjes nga niveli Qendror. Megjithatë, sfidat nëpër të cilat po kalojmë si shoqëri, tejkalojnë kufijtë lokal. Sot, e gjitha Kosova po vuan nga një qeverisje depresive, pa projekte zhvillimore e asnjë ide për të ardhmen”, ka shkruar ai.
Kjo është edhe arsyeja pse në ambasada të rinjtë presin për viza, ka theksuar Krasniqi.
“Prandaj, sot është rritur edhe urgjenca e veprimit, kur ambasadat janë plot aplikime, pushteti plotë me skandale, izolimi i pathyeshëm, ekonomia pa perspektivë, çmimet në rritje e energjia e keqmenaxhuar. Për këtë arsye, në diskutim me strukturat e PDK-së biseduam për më shumë angazhim politik e qytetar dhe ky është vetëm fillimi i një maratone, ku në synimin për të ndihmuar shtetin dhe qytetarët, ne do të japim gjithçka nga vetja”, ka theksuar ai.