Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se qeveria duhet menjëherë të heqë akcizën për naftën dhe TVSH-në për produktet ushqimore.
Ai ka thënë se Kosova është e para në botë për zhvlerësimin e parasë.
“Si asnjëherë pas luftës në Kosovë, inflacioni është ngritur në 14.1 për qind. Me këtë përqindje, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global, me shkallën më të lartë të zhvlerësimit të parasë. Rrjedhimisht, me të njëjtat të hyra si deri dje, secili qytetar i vendit tonë, sot blenë më pak produkte e siguron shumë më pak shërbime. Për dallim nga shtetet tjera, të cilat kanë një ekonomi më të fuqishme dhe përmes masave qeverisëse po lehtësojnë jetën e qytetarëve të tyre, qytetarët e Kosovës kanë mbetur nën mëshirën e fatit. Në kulmin e ngritjes së çmimeve të të gjitha produkteve bazike ushqimore – Kryeministri dhe Qeveria që ai udhëheqë, nuk po tregojnë as vizion, as vullnet e as guxim për të marrë masa konkrete për të zbutur këtë gjendje”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka thënë se përveç inflacionit 14.1 përqind në Kosovë, kryeministri Kurti s’ka marrë asnjë masë konkrete për gjendjen, përveç shëtitjeve personale jashtë vendit.
“Këto paralajmërime, do të duhej të mjaftonin që Qeveria të ndërmerrte masa emergjente qysh sot. Por, jo. Për Kryeministrin, i cili në 100 ditët e fundit gjysmën e tyre e ka kaluar jashtë vendit nëpër ekskursione personale – pa asnjë rezultat për Kosovën, më me rëndësi po dalin të jenë tryezat e debateve dhe takimet shterpe. Si Parti Demokratike e Kosovës, ka kohë që kemi propozuar heqjen e akcizës për naftën dhe të TVSH-së për produktet ushqimore. Kjo tashmë nuk është vetëm një propozim, por, një kërkesë urgjente që po i bëjmë kësaj Qeverie për të reaguar. Dita është sot. Koha është menjëherë. Tashmë jeni vonë”, ka shkruar Krasniqi.