-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Krasniqi i VV-së thotë se nuk mund të organizohen zgjedhje të reja në veri pa Ligjin për referendum

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, ka thënë se ky institucion nuk mund të organizojë zgjedhje të reja në komunat veriore pa miratimin e Ligjit për Referendume, të cilin Kosova nuk e ka.

Në mbledhjen e KQZ-së ai ka thënë se ka presione nga diplomatë të huaj për organizmin e zgjedhjeve në komunat veriore. Mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve e kanë pranuar edhe krerët e shtetit të cilët kanë thënë se duhet bërë në bazë të ligjeve. Osmani e Kurti kanë përmendur peticionin si mundësi.

Zgjedhjet në katër komunat veriore nuk mund të mbahen pa ndryshime ligjore, ka thënë anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Krasniqi i reagoi kryeshefit të Sekretariatit, Burim Ahmetaj, i cili njoftoi që janë në procesin e draftimit të rregullores për referendume.

Anëtari i LVV-së tha se pa Ligjin për referendum, të cilin Kosova nuk e ka, nuk mund të organizohen zgjedhje në veri.

“Nuk mundet që ky proces të rregullohet pa një ligj, tash nëse ka presione, si çdoherë që ka presione është çështje tjetër, përndryshe nuk mund të rregullohet kjo pa ekzistimin e një ligji, baze tjetër ligjore, sepse kjo rregullon vetëm peticionin si të tillë, por jo procesin e dytë që vjen pasi të pranohet peticioni, qysh ja ngjet emrin asaj”, ka theksuar Krasniqi.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se pajtohet se Rregullores duhet t’i ndryshohet emri.

“Krejt po pajtohemi që emrin nuk e ka të duhur për pjesën tjetër do të diskutojmë. Do ta diskutojmë atë pjesë tutje, pra emrin duhet që ta ndërrojmë”, ka deklaruar Radoniqi.

Ky diskutim është bërë edhe pse KQZ-ja si institucion nuk mund të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve a po jo, por vetëm i organizon ato.

Edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti kanë përmendur mundësinë që në komunat veriore të organizohen zgjedhje, nëpërmjet një peticioni që mund ta nisin qytetarët atje.

Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale parasheh që qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës. Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) për qind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.

“Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet në neni 72.3 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Pra, Ligji parasheh që njëherë qytetarët të votojnë për largimin e kryetarit e më pas të shpallen zgjedhjet e reja për kryetar.

Në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja ka miratuar edhe planin strategjik për periudhën 2023-2026 dhe planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga auditori i përgjithshëm.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img