Site icon PrishtinaPress

Krasniqi: Është e papranueshme vlera që ka ndarë Qeveria për shtesat e rrezikshmërisë për policinë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka thënë se është shqetësuese dhe e papranueshme vlera që Qeveria e Kosovës ka ndarë për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.

Ajo në emisionin “Ditari” në Tëvë 1, tha se këto shtesa nuk janë të mjaftueshme për policinë.

“Sot jam edhe shumë e shqetësuar duke parë shtesat për Policinë e Republikës së Kosovës në çfarë vlere kanë ra, dmth kur një Njësi Speciale në të kaluarën është paguar 200 euro, sot i merr 150 euro dhe del kryeministri, Kurti pas 10 muajsh që këta nuk marrin shtesa tregon se po iu japë shtesat policisë pas asaj ngjarjes së madhe më 24 shtator dhe ato po janë të përgjysmuara, kjo është shqetësuese edhe e papranueshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, sidomos për policinë dhe familjarët e tyre. Nuk e di qysh sot mundet me dal para familjarëve të të ndjerit, Afrim Bunjaku….sot del edhe i mposht ata me një shtesë shumë të ulët, kjo është tepër e rëndë për ta…dmth prej një shtesë 200 euro kur ka marrë Njësia Speciale, 180 euro ka marrë hetuesi, sot i merr 75 euro, dmth është tejet shqetësuese, ky po kqyre me iu qit hi syve të qytetarëve”.

Ndryshe, sot Kurti në konferencë për media është deklaruar për shtesat e rrezikshmërisë për policët, duke thënë se kanë bërë analiza të hollësishme para se të merrej vendimi.

Kryeministri deklaroi se 10% e zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë pasur të ardhura më të larta se presidentja e Kosovës.

“Nuk mund të kemi zgjidhje partikulare, kemi bërë hulumtime dhe ju kemi treguar. Shtesa më e lartë për rrezikshmëri është 150 euro e më e ulëta 45 euro. Ju e dini që pare boll kurrë s’ka, por buxheti i Kosovës është ky që është. Po ua ritheksojë edhe njëherë afër 700 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që i bie 10% të tyre kanë pasur të ardhura mesatare më të lartë se presidentja”, tha kryeministri gjatë konferencës për media.

Tutje, ai tha se gjatë këtij viti mbi 2 mijë policë kanë pasur të ardhura mesatare më të larta se 1 mijë euro.

“Për gjatë këtij viti 2 mijë e 134 policë kanë pasur në Republikën e Kosovës të ardhura mesatare më të larta se 1 mijë euro, që i bie afër 27 për qind të policëve. Të ardhurat mesatare të policëve për këtë vit për 2 mijë e 134 kanë qenë më lartë se 1 mijë euro. Në qershor dhe korrik sivjet janë afër 700 policë, të cilët kanë marrë pagë me shtesa me të larta se presidentja e Republikës. Ndërkaq, mesatarja e të ardhura të policëve për 203 sosh, gjatë këtij viti është më e lartë sesa e presidentes së Republikës që është paga më e lartë në sektorin publik”, deklaroi Kurti.

Exit mobile version