Site icon PrishtinaPress

Krasniqi e quan qeverinë “tufë inkompetente” për shkak të mungesës së materialit për pasaporta

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se asnjë arsyetim për mungesën e materialeve për prodhimin e pasaportave nuk e arsyeton Qeverinë të cilën ai e cilëson si të “paaftë” dhe “tufë inkompetente”.

Problemi me materialet është tash e disa muaj, ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Gjermania që t’iu mundësojë mërgimtarëve udhëtim me pasaporta të skaduara.

Për këtë Krasniqi e ka kritikuar Sveçlën, por edhe gjithë Qeverinë Kurti.

“Festat në Kosovë janë gjithmonë më të mira e më të ngrohta me mërgimtarët tanë prezent. Për fundvit, ata tejkaluan sfidat dhe peripecitë e shumta që ju shfaqën kësaj radhe, vetëm që të jenë pranë familjeve e që ndërrimin e motmotve ta kalojnë bashkë me ta”.

“Fatkeqësisht, edhe në këtë vizitë të tyre, Qeveria nuk arriti që të paktën të sigurojë material për pasaporta, afatet e të cilave shumë mërgimtarëve tashmë u kanë skaduar. Qeveria, në vend se të bëjë kërkesa turpëruese drejt shteteve mike për lejimin e udhëtimit të qytetarëve me pasaporta të skaduara, duhet që urgjentisht këtë problematikë ta shndërrojë në prioritet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, të dielën.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare ka pyetur se pse vetëm Kosova në gjithë Evropën nuk ka material për pasaporta.

“Asnjë arsyetim nuk i shfajson qeveritarët e paaftë për të qeverisur në lidhje me mungesën e materialit për prodhimin e pasaportave. Janë bërë muaj të tërë dhe kjo tufë inkompetente nuk është në gjendje ta zgjidhë një problem të thjeshtë furnizimi. A di të tregojë ndokush nga Qeveria e fjalamanëve pse vetëm Kosova në tërë Evropën nuk ka material për pasaporta?”.

“Duke bashkëndjerë me ta për këtë keqtrajtim nga Qeveria, por duke i falënderuar për vizitat dhe kontributin e tyre të çmuar, u uroj të gjithë mërgimtarëve rikthim të mbarë e të sigurt nëpër shtetet ku jetojnë dhe veprojnë. Uroj Vit të ri të mbarë, të suksesshëm e të begatë për të gjithë mërgimtarët tanë dhe familjet e tyre nëpër botë”, ka shkruar Krasniqi.

Exit mobile version