Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bashkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku këtë muaj pritet të udhëtojnë në ShBA.
Siç u bë e ditur para disa ditëve, Krasniqi dhe Abdixhiku do të takohen me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kujtojmë se njëjtë sikurse Krasniqi dhe Abdixhiku, në muajin maj në Departmentin Amerikan të Shtetit ishte pritur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Pas takimit me Escobar, Haradinaj pati përsëritur përkushtimin e tij për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke.
“Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, shkruante Haradinaj në Facebook.
Ndërkaq, gjatë muajit tetor të këtij viti i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, erdhi në Kosovë dhe u takua me partitë opozitare, nga mediat u bë e ditur se propozimi i planit franko-gjerman ishte pjesë diskutimi në këtë takim.
Për dallim nga Krasniqi dhe Abdigjiku, deri më tani i vetmi që ka përkrahur propozimin franko-gjerman është kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Por, Haradinaj është shprehur gjithashtu se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi duhet ta ketë vulën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.