Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria e ka injoruar krizën energjetike, përkundër paralajmërimeve të opozitës dhe propozimeve konkrete të PDK-së për përballimin e saj, që nga shtatori i vitit të kaluar.
Duke përmendur thënien e kryeministrit Kurti “rryma nuk ruhet në frigoriferë”, Krasniqi e ka kritikuar atë për neglizhencë dhe tallje me qytetarët në kohë krize.
“Në shtatorin e vitit të kaluar për herë të parë kemi filluar me folë për punën e krizës energjetike dhe kemi paralajmëruar atë që flitej nëpër krejt Evropën, që do të jetë një dimër i vështirë, do të ketë rritje të kostos për megavat dhe që do të duhej qeveria të ndërmerrte një sërë masash”, është shprehur Krasniqi për ATV.
Duke akuzuar qeverinë për paaftësi dhe mungesë kompetence, Krasniqi tha nuk është punë e saj t’iu tregojë qytetarëve të Kosovës se dimri do të jetë i vështirë, por duhet të gjej zgjidhje për të.
“Puna e qeverisë është me ba zgjidhje, me lehtësu dimrin, sepse kur vjen dimri nuk kanë me na nxehë fjalët e kryeministrit, nuk kanë me na nxehë vjershat e tij dhe ato deklarimet demagogjike, të cilat i ka plot. Ne duhet të nxehemi diqysh. Fëmijët, familjet kanë me u nxehë diqysh. Nuk kanë rrymë dhe fatkeqësisht një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës ngrohen me rrymë dhe me biomasë, që 99 për qind e biomasës është dru.Edhe çmimet e drurit për ngrohje janë rritë dyfish, çmimet e peletit janë rritë trefish, çmimi i energjisë siç e dini është rritur dyfish dhe qeverinë e kemi komplet duke bërë sehir”, tha ai.
Ai tha se deputetët e Vetëvendosjes dhe Qeveria Kurti janë munduar me çdo kusht ta pengojnë themelimin e Komisionit Hetimor për Energjinë, sepse janë frikësuar për skandalet e shumta në sektorin energjetik, ndër to edhe rastin ambasadorit Martin Berishaj.
“Janë frikësu edhe për shkeljet në KEK, janë frikësu edhe për mashtrimet e mëdha që thoshin jemi duke i subvencionuar qytetarët dhe në fakt paret janë duke ia dhënë KEDS-it direkt, dhe KESCO-s”, theksoi Krasniqi.