0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

KQZ tregon se nuk ka prag minimal të daljes së votuesve, Cakolli: Zgjedhjet nuk mund të shtyhen për tekat e Listës Serbe

Legjislacioni në Kosovë nuk e ka përcaktuar pragun minimal të daljes së votuesve në zgjedhjet qendrore apo komunale. Kësisoj, mosdalja e shumicës së votuesve në veri të vendit nuk mund ta kontestojë procesin zgjedhor.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë sqaruar njërën nga çështjet e debatueshme kohëve të fundit që ka të bëjë me pjesëmarrjen eventuale të ulët në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për EO se në ligjet për zgjedhje nuk ka të vendosur ndonjë prag i daljes së qytetarëve.

“As në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe as në Ligjin për zgjedhjet lokale nuk është e saktësuar se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një proces zgjedhor, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra, nuk ka ndonjë prag të vendosur për këtë çështje”, tha Elezi.

Elezi ka thënë se KQZ-ja fton qytetarët me të drejtë vote nga këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese më 23 prill dhe se për të realizuar të drejtën e votës, ky institucion është duke vazhduar me përgatitjet.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 prillit dhe ne inkurajojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e komunës së tyre, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq apo Zubin Potok si dhe anëtarët në kuvendin komunal të Zveçanit apo Leposaviqit”, tha Elezi.

Se nuk ka prag minimal për t’i kontestuar zgjedhjet e thotë edhe hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli. Thotë se procesi mund të jetë në rregull me vetëm një votues.

“Legjislacioni në Kosovë, fatmirësisht nuk e ka përcaktuar asnjë prag minimal të daljes në zgjedhje të votuesve në mënyrë që zgjedhjet të konsiderohen të ligjshme apo legjitime nga ana e palëve, pra mjafton një votues i vetëm të dalë në cilëndo prej këtyre komunave dhe vota e tij të jetë e vlefshme në mënyrë që procesi të jetë ligjërisht në rregull. Pastaj sesa në praktikë mund të implementohet rezultati zgjedhor, është çështje tjetër që u takon institucioneve qendrore dhe në veçanti forcave të sigurisë, në mënyrë që të garantohet që personat e zgjedhur nëpër pozita të kenë mundësi që lirshëm të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues”, thotë Cakolli

Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e katër komunave veriore, ka qenë e pritshme sipas tij. Thotë se me marrëveshjen e Ohrit, është evituar rreziku i një precedenti për shtyrje të vazhdueshme të zgjedhjeve.

“Në bazë të deklarimeve të tyre, ka qenë deri diku e pritshme që Lista Serbe nuk do të marr pjesë në zgjedhje dhe besoj që ndër arsyet kryesore përveç atyre që i kanë përmendur ata, ka qenë edhe tendenca për të përçuar mesazh mbase se pa Listën Serbe nuk mund të organizohen zgjedhje lirshëm në pjesën veriore të vendit”.

“Konsideroj që pas momentumit të krijuar me Marrëveshjen e Ohrit si dhe deklarimeve të vazhdueshme të faktorëve ndërkombëtare se zgjedhjet tashmë duhet të organizohen pavarësisht mospjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje, procesi nuk mund të ndërpritet dhe është evituar mundësia e shndërrimit në një precedent shumë të rrezikshëm të shtyrjes së vazhdueshme të zgjedhjeve për shkak të tekeve të një subjekti politik, pavarësisht se në cilin vend”.

Me mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje, Cakolli thotë se do të vërehet edhe mosdalja e qytetarëve në këto zgjedhje.

“Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje do të ketë ndikime në shumë dimenzione, ndër cilat besoj që më e vërejtur do të jetë dalja në zgjedhje e votuesve. Kjo duke e ditur që Lista Serbe në vazhdimësi e ka pasur përkrahjen e mbi 95 për qind të votuesve në mesin e atyre që dalin në zgjedhje në pjesët veriore të vendit, që është dyfishimi i mesatares së daljes së votuesve krahasuar me pjesën tjetër”, u shpreh ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img